Kryesore “Luftë diplomatike” me nota proteste mes Tiranës dhe Beogradit

“Luftë diplomatike” me nota proteste mes Tiranës dhe Beogradit

Fyerjet e ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandër Vulin ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe ndaj vetë kryeministrit Edi Rama ka shkaktuar një ngërç diplomatik mes Tiranës dhe Beogradit, pavarësisht se dy palët ishin nxitësit kryesorë të Shengenit Ballkanik.

Rama ka njoftuar se Ministria e Punëve të Jashtme e ka thirrur zyrtarisht ambasadorin serb në Tiranë për t’i përcjellë një notë verbale, pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin.

Kjo notë mësohet se i është dorëzuar ambasadorit nga ministri në Detyrë, zoti Gent Cakaj. Vetë kryeministri Rama ka thënë se qeveria e tij “nuk do të tolerojë më asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe”.

Reagimi i ashpër i Tiranës, vjen pasi Ministri serb komentoi pak ditë më parë deklaratat e Ramës në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së dy qeverive.

Kryeministri shqiptar tha që Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës, deklaratë që sipas ministrit Vulin është një sinjal që Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

“Duke deklaruar se Porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdon të punojë për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’”, pati deklaruar Vulin, duke i bërë thirrje BE-së që të reagonte, duke e cilësuar kërcënim për paqen. Përmes një deklarate të dytë, ministri serb i Mbrojtjes u shpreh se kryeministri i Shqipërisë do të mbahet mend më shumë për “çorapet e grisura” se sa për zhvillimin e ideve të ndritura dhe se Rama nuk ka “tru”.

“Nëse Edi Rama do të kishte tru, nuk do të përpiqej të bënte Shqipërinë e Madhe. Nëse do të kishte mend, nuk do të bënte fotografi me sfond nga flamuri i ‘Shqipërisë së Madhe’. Nëse kujdesej për paqen në rajon, nuk do të lavdëronte vrasësit nga radhët e UÇK-së”, pati deklaruar Vulin.

Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, Rama tha se pret që president i Serbisë, Aleksandër Vuçic, duhet të kërkojë ndjesë në emër të shtetit të Serbisë.

Edhe pse këto deklarata kanë zemëruar Tiranën, ekspertët thonë se përdorimi i termave  ofenduese ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, në diskursin publik të politikanëve të Serbisë, nuk është në fakt asgjë e re.

Serbia i kundërpërgjigjet Shqipërisë me notë proteste

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë njoftoi se ka thirrur të mërkurën ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka për t’i dorëzuar atij një notë proteste lidhur me deklaratat e bëra gjatë takimit të të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë më 2 tetor në Tiranë, për heqjen e kufirit mes këtyre dy të fundit.

“Deklaratat e tilla, të cilat përfshijnë bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe, paraqesin një arsye të justifikueshme shqetësimi, si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit të angazhuara për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në rajon”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme serbe.