Politika Meta i rrëfen Komisionerit Varhelyi: Do kthej mbrapsht ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Meta i rrëfen Komisionerit Varhelyi: Do kthej mbrapsht ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Presidenti Ilir Meta konfirmoi se do të kthejë për rishqyrtim në Kuvend, ndryshimet në Kodin Zgjedhor që më herët i ka quajtur anti-kushtetuese. Meta e konfirmoi këtë në takimin me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

“Duke u ndalur tek reforma zgjedhore, përcaktuar si kusht themelor për nisjen e negociatave të anëtarësimit, e informova Komisionerin se do të rikthej për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor.

Duke mirëkuptuar kërkesën dashamirëse të Grupit të PPE në Parlamentin Europian për t’i dhënë edhe një mundësi Kuvendit një-partiak të tërhiqet nga minimi i procesit zgjedhor, me pasoja të rënda e afatgjata ndaj integrimit europian të Shqipërisë, uroj që pushteti të kthehet tek Marrëveshja konsensuale e 5 Qershorit.

E garantova Komisionerin Varhelyi se çdo zgjidhje do të vijë nga populli shqiptar. 25 Prilli do të jetë një referendum popullor që do t’u japë përgjigjen e merituar të gjithëve atyre që tentojnë të luajnë me të ardhmen europiane të vendit” – thotë Meta në një postim në Facebook pas takimit.