Bota Macron kërkon zonë sigurie të OKB-së në Kabul për vazhdimësinë e evakuimeve

Macron kërkon zonë sigurie të OKB-së në Kabul për vazhdimësinë e evakuimeve

Franca dëshiron të punojë me Britaninë e Madhe për krijimin e një zonë sigurie të OKB-së në Kabul, për të mundësuar evakuimin e vazhdueshëm të qytetarëve dhe personelit lokal, pasi trupat amerikane të tërhiqen nga Afganistani, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Një rezolutë e përbashkët për këtë qëllim është planifikuar kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mblidhet për një takim krize, të hënën, për të shqyrtuar situatën në Afganistan”, tha Macron për gazetën “Le Journal du Dimanche”.

“Draft rezoluta jonë synon të përcaktojë një zonë sigurie në Kabul, që do të lejojë vazhdimësinë e operacioneve humanitare”, shtoi ai.

Trupat amerikane do të tërhiqen nga vendi të martën.

“Kjo do të krijojë një kuadër të OKB-së për masat emergjente dhe, mbi të gjitha, do t’i bëjë të qarta përgjegjësitë e palëve dhe do t’i lejojë bashkësisë ndërkombëtare të ruajnë presionin ndaj talebanëve”, theksoi kreu i qeverisë.

Pasi talebanët pushtuan Afganistanin, shumë vende, të varura nga siguria e ofruar nga forcat amerikane kërkuan një zgjatje të afatit të 31 gushtit, për të përfunduar evakuimet e tyre, por si SHBA-ja, ashtu edhe talebanët, e hodhën poshtë idenë.

Kjo ka bërë që qeveritë në mbarë botën të përpiqen të gjejnë mënyrën se si t’i evakuojnë ata që mbeten, pas përfundimit të misioneve të tyre ushtarake.

Shumë punonjës vendas kanë frikë nga shtypja dhe hakmarrjet për mbështetjen e forcave perëndimore.

Macron shpjegoi se Parisi po vlerëson nëse evakuimet do të mund të vazhdojnë ose përmes anës civile të aeroportit të Kabulit ose përmes vendeve fqinje.