Kryesore Mali i Zi, vendi i parë pa virus në Europë: Gati hapja...

Mali i Zi, vendi i parë pa virus në Europë: Gati hapja e kufirit me Shqipërinë

Javën tjetër, Mali i Zi do të hapë kufijtë e tij për vendet me situatë të njëjtë ose të ngjashme epidemiologjike, njoftoi Kryeministri i këtij vendi, Dushko Markoviç, pas takimit të organit kombëtar të koordinimit.

Një lëvizje që konsiderohet si jetësore për turizmin e shtetit në Adriatik, kryeministri njoftoi se në qershor do të rihapte kufijtë për ato shtete që raportojnë jo më shumë se 25 raste infektimesh për 100 mijë persona.

Mes tyre janë Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Greqia dhe Gjermania. 68 ditë pasi raportoi rastin e parë me COVID-19, Mali i Zi u bë vendi i parë në Europë që u çlirua nga virusi, duke e mbyllur kapitullin e errët me vetëm 324 raste të konfirmuara dhe 9 viktima. Pacienti i fundit me COVID-19, u shërua në fundjavë.

Vendi i parë pa koronavirus në Europë

Markoviç theksoi se Mali i Zi u bë vendi i parë “pa Corona” në Europë dhe uroi të gjithë ata që ishin në rreshtin e parë të mbrojtjes kundër epidemisë, duke theksuar se ishte një fitore e përbashkët e punonjësve të kujdesit shëndetësor, pjesëtarëve të policisë, shërbimeve të sigurisë dhe ushtrisë.

Ai kujtoi se Mali i Zi nuk futi një gjendje të jashtëzakonshme dhe se ajo kishte shkallën më të lartë të lirisë për qytetarët.

Që nga fillimi i epidemisë në Mal të Zi, 324 njerëz janë infektuar, 315 janë shëruar dhe nëntë kanë vdekur, kujtoi Marinoviç.

“Mali i Zi arriti të jetë vendi i fundit në Europë ku u regjistrua virusi, pa futjen e një gjendje të jashtëzakonshme dhe pa shtetrrethim. Dhe të jetë vendi i parë në Europë që e mposht atë. Nuk erdhi vetvetiu; strategjia jonë është të jemi gjithmonë një hap përpara”, tha Markoviç.

Shteti me 620 mijë banorë, i varur kryesisht nga turizmi, mbylli kufijtë, aeroporte e shkolla në muajin mars, por mes të dhënave pozitive lidhur me krizën ka nisur zbutjen e masave që prej 30 marsit. Për të parandaluar përhapjen Mali i Zi publikoi listën me emrat dhe adresat e personave në vetë-izolim, diçka që nxiti kritika nga grupe për të drejtat e njeriut dhe mbajti të izoluar një rajon të tërë për disa javë.