Bota Mbi 20 mijë viktima nga tërmeti në Turqi dhe Siri, i ftohti...

Mbi 20 mijë viktima nga tërmeti në Turqi dhe Siri, i ftohti po rëndon edhe më shumë bilancin dramatik

Numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë i ka kaluar 20 mijë. Autoritetet turke bëjnë të ditur se në Turqi numri i viktimave është rritur në të paktën 16,546, ndërsa të plagosurit i kanë kaluar 66 mijë. Nga ana tjetër, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po vijon turin e tij në zonat e prekura nga tërmeti

Ndërkohë numri i përgjithshëm i vdekjeve në Siri u ngjit në të paktën 3,192, përfshirë 1,930 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim, sipas grupit të mbrojtjes civile të Helmetave të Bardha dhe 1,262 vdekje në pjesët e kontrolluara nga qeveria e Sirisë, sipas mediave shtetërore siriane.

Të paktën 71,290 persona janë plagosur në Siri dhe Turqi, sipas shifrave nga qeveria turke, Helmetat e Bardha dhe media shtetërore siriane.

Grupet e kërkim shpëtimit nga e gjithë bota, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, vijojnë të punojnë për të gjetur dhe shpëtuar njerëz që mund të kenë mbetur të gjallë nën rrënoja.

Të gjitha agjencitë lokale dhe ndërkombëtare që po punojnë në terren dhe po monitorojnë situatën raportojnë se shifrat do të rritet edhe më tepër.

Më të vështira operacionet e shpëtimit janë në Sirinë e destabilizuar prej vitesh. Në qytezën siriane të Zhindirsit, 60 kilometra në veri të Alepos, operacionet e shpëtimit ende nuk kanë nisur.

“Im vëlla dhe dy gratë e tij janë ende nën rrënoja. Asnjë ndihmë nga jashtë nuk ka ardhur deri tani, siç u premtua. Po punojmë me mjete rrethanore. Një vinç që porositëm, nuk na erdhi se nuk kishte naftë”, thotë një banor.

Banorët e zonave të prekura në të dy vendet po përballen me mungesa të theksuara furnizimesh jetike.

Shkatërrimi i rrugëve ka vështirësuar së tepërmi dërgimin e ndihmave ushqimore. Zona të tëra të banuara në jug të Turqisë janë shndërruar në qytete fantazmë. Kombet e Bashkuara, që paralajmërojnë se i ftohti i acartë dhe mungesa e ushqimit e karburantit për operacionet e shpëtimit, po e rëndojnë edhe më shumë bilancin e viktimave se vetë katastrofa natyrore.