Bota Merkel: E kemi dëgjuar alarmin e zgjimit nga të rinjtë

Merkel: E kemi dëgjuar alarmin e zgjimit nga të rinjtë

Merkel si burrështetase. Thunberg del jashtë kontrollit e revoltuar dhe me lotë në sy. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: me tone pajtimi. Trump: duartroket dhe ikën. Në samitin e klimës përplasen botë të ndryshme.

Kur Angela Merkel doli në pult, emocionet në sallë sërish janë zbehur. Xhaketë e kaltër në sfond të kaltër. Me seriozitet ajo e ka kuptuar shpërthimin e indinjatës, dëshmitare e së cilës u bë edhe kancelarja në këto momente. “Ne e kemi dëgjuar alarmin e zgjimit nga të rinjtë”, e nis fjalimin Merkel duke lexuar manuskriptin që ka përpara. Ajo nuk e përmend me emër Greta Thunberg. E si rrjedhojë zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert me nxitim publikoi një fotografi në Twitter, që tregon kancelaren me vajzën e re suedeze.

“Ne kemi vetëm një Tokë”, thotë Merkel duke pohuar sërish qëndrimin e saj pro Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Vendet e industrializuara janë shkaktarët kryesorë të ngrohjes së Tokës, vendet në zhvillim në të kundërt janë ata që mbajnë në kurriz pasojat. Gjermania e sheh përgjegjësinë e saj në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Mjetet për mbrojtjen mbarëbotërore të klimës në raport me vitin 2014 janë shtuar nga dy në katër miliardë Euro.

Në Gjermani jeton rreth një përqind e popullsisë botërore – e megjithatë kuota mbarëbotërore e emetimeve të dioksidit të karbonit CO2 është dy përqind, llogarit Merkel. “Pra nëse të gjithë do të vepronin si Gjermania, emisionet do të dyfishoheshin.” Ndaj qeveria gjermane do të veprojë energjekisht për ta frenuar këtë proces, premtoi kancelarja – duke paraqitur pikat kyç të paketës për klimën, që sapo e prezantoi qeveria në Berlin.

Thunberg: “Si mundet ta bënit këtë?”

Krejt ndryshe ishte atmosfera në sallë kur aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg – duke qëndruar e ulur, por shumë më energjike se Merkel që referoi duke qëndruar në këmbë – iu drejtua politikanëve të mbledhur në sallë. Ajo i akuzoi ata për dështim të rëndë në mbrojtjen e klimës. “Njerëzit vuajnë. Njerëzit vdesin. Ne ndodhemi në fillim të një asgjësimi masiv, dhe e gjitha për çfarë ju mund të mendoni janë paratë dhe përrallat për rritjen e përhershme ekonomike“, bëri thirrje Thunberg me lot në sy.

Shumë shpejt fjalimi i saj përshkallëzoi në një indinjatë akuzuese. “Si mundët ju të rrëmbeni ëndrrat dhe fëmijërinë time me fjalët boshe?”, pyeti Thunberg. Qysh në fjalët e para kishte kërcënim: “Mesazhi im është: Ne ju vëzhgojmë juve. Nëse na lini në baltë, ne nuk do t’ua harrojmë kurrë.”

Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së António Guterres në fjalën e tij të hapjes tërhoqi vëmendjen, se duhet nxituar, koha nuk pret, ashtu sikurse thekson suedezja dhe lëvizja e iniciuar prej saj Fridays-for-Future. “Ky nuk është samit i fjalimeve për klimën. Ne kemi folur mjaft. Me natyrën nuk negociohet. Ky është samiti i veprave”, tha Guterres. Ai u dha të drejtë aktivistëve të rinj të klimës, kur ata kërkojnë “veprim të menjëhershëm”. Brezi më i moshuar deri tani ka dështuar në mbrojtjen e klimës.

950 termocentrale të reja vetëm në Afrikë

Si pjesë e një kthese globale nuk duhet vazhduar të mbështeten më “me miliarda para nga taksat” sektorët e energjive fosile, tha sekeretari i Përgjithshëm i OKB-së. Në mbarë botën duhet të hiqet dorë nga ndërtimi i termocentraleve. Por sipas ministrit gjerman të Mjedisit, Gerd Müller, ndërkohë vetëm në Afrikë janë planifikuar ose janë në ndërtim e sipër 950 termocentrale të reja.

Edhe presidenti i SHBA-së Donald Trump papritur u shfaq në samit në Nju Jork – megjithatë vetëm për pak minuta. Trump u ul në plenum, dëgjoi disa sekuenca të fjalimit të kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, duartrokiti dhe u largua. Presidenti i SHBA-së ka shprehur vazhdimisht dyshime ndaj ndryshimit të klimës të shkaktuar prej njeriut. Më 2017 ai shpalli daljen e vendit të tij nga Marrëveshja e Parisit për Klimën të vendosur në vitin 2015./DW