Kryesore Meta, kritika Ramës: Nuk mjafton të themi që Franca dhe Holanda kanë...

Meta, kritika Ramës: Nuk mjafton të themi që Franca dhe Holanda kanë probleme të brendshme

Presidenti Ilir Meta tha në një konferencë për shtyp me homologun nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski, se pavarësisht pakënaqësisë për mos hapjen e negociatave, e vetmja alternativë e pakokurrueshme për të dy vendet mbetet anëtarësimi në BE.

“Do të forcojmë përpjekjet tona në mënyrë që sa më shpejt të kemi zhvillime pozitive në këtë drejtim. Çdo ide tjetër do të ishte e papranueshme për një rajon që është aq jetik për të ardhmen e vetë kontinentit, dhe aq më tepër që edhe sot është i rrethuar nga vendet e BE”, tha Meta.

Meta shtoi se Shqipëria duhet të bëjë më tepër për të fituar besimin e vendeve të unionit që nuk ishin dakord me nisjen e bisedimeve. “Për sa i takon vendit tonë, jam i sigurt se do të na duhet të bëjmë përpjekje edhe më të mëdha për të qenë edhe më të besueshëm dhe për këtë besoj se platforma më e mirë mbetet ajo e miratuar nga Bundestagu gjerman për të cilët kërkohet konsensus nga të gjitha palët”, u shpreh Presidenti.

“Pavarësisht nga mos dëgjimi nga ana jonë i këshillave sistematike të tyre, përsëri arritën të bëjnë një “shpikje” me qëndrimin zyrtar që mbajtën në Bundestag, për të hapur rrugën për të dy vendet për çeljen e negociatave, natyrisht duke bërë një dallim të qartë mes progresit të Maqedonisë së Veriut dhe progresit që duhet të bëjë Shqipëria deri në hapjen reale të negociatave. Edhe vendet e tjera që kanë qenë mosbesues ndaj nesh, si Holanda dhe Franca, t’i bashkohen kësaj qasjeje të Bundestagut, që do të thotë që të hapet drita jeshile dhe të jenë të qarta që edhe detyrimet të përmbushen që ky proces të vazhdojë”.

“Nuk mjafton të themi që Franca dhe Holanda kanë probleme të brendshme, në rast se ne jemi burim për shqetësimet e tyre, sa i takon azilkërkuesve të paligjshëm dhe krimit të organizuar. Duhet të reagojmë me më shumë përgjegjshmëri që shqetësimet të shuhen në javët dhe muajt që vijnë. Dhe të bëjmë të qartë se çdo ide tjetër, edhe informale qoftë, për vendet tona dhe Ballkanin Perëndimor është e papranueshme dhe e padobishme”, shtoi Presidenti.