Politika Meta: Me mbështetjen e Gjermanisë shpresojmë të çelim negociatat në qershor

Meta: Me mbështetjen e Gjermanisë shpresojmë të çelim negociatat në qershor

Presidenti Ilir Meta shpreson që në qershor të këtij viti të çelen negociatat me Bashkimin Europian. Deklaratat e kreut të Shtetit u bënë gjatë fajlës së tij në Konferencën Vjetore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjermane në Berlin, ku mbajti edhe një fjalë përshëndetëse si i Ftuar Nderi

“Ne shpresojmë se edhe me mbështetjen e paçmuar të Gjermanisë dhe me vullnetin e të gjithë vendeve anëtare, të jemi të gatshëm të çelim negociatat me BE-në qershorin e 2019-s”, tha Meta.

Po ashtu Presidenti Ilir Meta ka ftuar biznesin gjerman për mundësitë e investimeve në sektorin e turizmit dhe energjetikës në Shqipëri. Ai vlerësoi parneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

“Ftesa ime e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë është që t’ju ftoj në Shqipëri jo vetëm si turistë për të shijuar bukuritë e saj të jashtëzakonshme, por edhe si investitorë potencial duke shfrytëzuar kapitalin tuaj financiar dhe ekspertizën menaxheriale në sektorin e turizmit”, theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e prezencës së kompanive gjermane në Shqipëri dhe në rajon në forcimin e prespektivës europiane të vendeve tona.