Aktualitet Ministria e Mbrojtjes: Ndalohen katër çekë brenda tuneleve të uzinës së Poliçanit

Ministria e Mbrojtjes: Ndalohen katër çekë brenda tuneleve të uzinës së Poliçanit

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht për episodin e uzinës së Poliçanit në Berat, ku u kapën dy shtetas të tjerë të huaj duke filmuar këtë objekt ushtarak.

Këta shtetas janë nga Çekia dhe u gjetën brenda tuneleve të uzinës, një tjetër impiant ushtarak në vend. Ata u ndaluan dhe së bashku me ta janë shoqëruar edhe dy bashkëjetueset e tyre çeke, rreth 1.5 kilometra larg tuneleve të uzinës.

“Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën  e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar. Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke. Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm. Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.