Aktualitet Dyshime për spiunazh? Ministri Peleshi: 2 rusët dhe ukrainasi kanë qenë në...

Dyshime për spiunazh? Ministri Peleshi: 2 rusët dhe ukrainasi kanë qenë në vëzhgim, kemi patur informacion

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka vizituar sot në Spitalin Universitar Nënë Tereza dy ushtarakët që u sulmuan me sprej neuroparalizues nga një shtetas rus në uzinën ushtarake në Gramsh.

Duke folur për gazetarët pas vizitës në QSUT, ministri Peleshi tha se për 2 shtetasit rusë dhe ukrainasin ka patur informacione nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare. Për këta 3 shtetas të huaj të cilët ndodhen në Shqipëri prej disa ditësh, Peleshi tha se janë mbajtur nën vëzhgim dhe të tre ishin pikasur.

Ministri i Mbrojtjes u shpreh se për shkak të dhunës së ushtruar ndaj dy ushtarakëve, ngjarja në uzinën e Gramshit nuk mund të konsiderohet si incident civil. Njësoj si dhe Kryeministri Edi Rama, ministri Peleshi tha se dyshojnë për spiunazh, megjithatë do të priten hetimet e disa agjencive ligjzbatuese shqiptare që po trajtojnë këtë episod.

“Ajo çka ka ndodhur, 3 shtetas të huaj i janë afruar ish-uzinës mekanike të Gramshit, janë afruar për të fotografuar. Një prej tyre ka kapërcyer në mënyrë të paligjshme, ajo është një zonë ku nuk mund të aksesosh. Dy ushtarakët u ngritën në nivelin e detyrës e kanë parandaluar. E kanë ndaluar. Shtetasi i huaj me pasaportë ruse ka reaguar fizikisht ka përdorur edhe një sprej. Dy ushtarakët e kanë ndaluar dhe kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit ka reaguar shumë shpejt, ka kryer ndalimin këtij shtetasi. Më pas jo shumë larg nga uzina janë ndaluar edhe dy shtetasit e tjerë që ndodheshin në një makinë.

Është një ngjarje që duhet vlerësuar, nuk mund të kalojë si incident civil. Por nuk duhet të nxitohemi. Fakti që është reaguar dhunshëm na bën të jemi më të vëmendshëm deri në fund. Janë shumë struktura që po punojnë, inteligjenca ushtarake, SHISH, Policia e Shtetit, Anti-Terrori. Janë që të 3 në hetim. Distancohem nga çdo spekulim politik.

Ka patur informacion edhe më parë, kanë qenë në vëzhgim ndaj dy ushtarakët tanë kanë reaguar në momentin e duhur. Ka patur informacion, janë mbledhur informacione. Kemi të bëjmë me një ngjarje që ka dhe dhunë brenda. Për sa kohë ka dhunë ne jemi shumë seriozë. Bëhet fjalë për një futje në mënyrë të paautorizuar në një zonë ushtarake. Këto ngjarje i vendosim edhe në kontekstin gjeopolitik”, tha ministri Niko Peleshi.

Incidenti në uzinën e armëve në Gramsh ndodhi të shtunën, kur njëri prej rusëve i quajtur Mikhail Zorin 24 vjeç kaloi rrethimin dhe hyri në perimetrin e ndaluar të uzinës. Atij iu kërkua verifikim nga dy ushtarakët roje, por këta të fundit u sulmuan me sprej neuroparalizues. Megjithatë arritën ta ndalonin 24-vjeçarin. Menjëherë u dha alarmi dhe pak metra më tutje brenda një makine u arrestuan edhe 2 shtetas të tjerë të huaj; rusja Svetlana Timofoeva 33 vjeç dhe ukrainasi F.A. 25 vjeç. Ata kanë pretenduar se janë turistë dhe blogerë, por autoritetet shqiptare kanë dyshime për spiunazh. Ndërkohë, dy ushtarakët shqiptarë janë në gjendje të mirë shëndetësore.