Sport Moratti i rikthehet ‘Calciopoli’-it: Duhej të fitonte Juve, ose Milani

Moratti i rikthehet ‘Calciopoli’-it: Duhej të fitonte Juve, ose Milani

Nga ‘Calciopoli’ te prapaskenat e blerjes se Interit, nga rivaliteti Ibrahimovic-Cambiasso te propozimet për kryebashkiak i Milanos. Në një intervistë për ‘Corriere della Sera’ Massimo Moratti, ish-president i Interit, rrëfen gjithçka.

“Kur bleva Interin, nuk i thashë asgjë Milly-t (bashkëshortja), – tregon Morati, presidenti zikaltër në periudhën 1995-2013. – Ajo e mori vesh nga televizori. Urdhërova të bllokoheshin ashensorët, kisha frikë se vinte në zyrë dhe më ndalonte. Pastaj shkova në shtëpi, nuk gjeta asnjeri dhe bëra gëzuar me kamarieren”.

Sa i ka kushtuar Interi? “Nuk e di sa, nuk do ta thosha. Futbolli nuk është biznes, është pasion dhe pasioni nuk ka çmim”, – thotë Moratti.

Pastaj tema e shumëpërfolur e ‘Calciopoli’-t: “E di që juventinët do të inatosen, por ai titull na takonte ne. Do të ishte shpërblimi minimal për vjedhjet që na u bënë. Moxhi? Është e vërtetë që donte të vinte tek Interi. Nuk kam thënë kurrë që nuk e doja, por gjithsesi nuk do ta kisha marrë. Pse? Sepse Seria A ishte e manipuluar dhe ne ishim viktima.

Duhej të fitonte Juventusi dhe nëse nuk fitonte Juventusi, i takonte Milanit pastaj. Një turp, pandershmëria më e madhe dhe mashtrim për ndjenjat e njerëzve”.

Ka shumë histori që tregohen për Morattin. “Më kanë propozuar për t’u bërë kryebashkiak i Milanos dhe kam refuzuar tri herë. Ndoshta kam gabuar, e kam peng, do më kishte pëlqyer”.

Rivaliteti Ibra-Cambiasso? “Flisja me lojtarët më të rëndësishëm. Zllatani më thoshte: ‘Thuaj Cambiassos që vitin tjetër bëjmë edhe pa të’. Unë qeshja. Pastaj shkoja te Cambiasso, i cili më thoshte: ‘Thuaj Ibrës që vitin tjetër bëjmë edhe pa të”.

Për të ardhmen e Interit, Moratti shprehet: “Ndoshta do të vijë një fond amerikan, por kujdes me spekulimet. Futbolli nuk është krijuar për të bërë para. Amerikanët duan ta kthejnë në spektakël, shou-biznes, por nuk e di nëse në Itali është e mundur”.