Opinione Mos na e shisni si viktimë, një grua që tradhton burrin!

Mos na e shisni si viktimë, një grua që tradhton burrin!

Nga Eglantina Nikollaj

Pse u dashka trajtuar si viktimë kjo Marsida? Me biznes, po. Shtëpinë në pallat te ri. Kushtet me çfarë pamë nga TV ishin më të mira se mesatarja (për në Kavajë madje mund të thuhet luks). Me thonj tipsa e të kuq flakë. E gatshme për të dhënë intervista. Para kamerës se “Open” ishte kujdesur edhe për make up se si duket si kishte pëlqyer vetja në intervistat e mëparshme…

Të ishte në një shtet tjetër e shihte mirë Marsida nëse do kishte shans të dilte herë në një TV e herë në një tjetër për të dhënë intervista e alibira në tentative për t’i hedhur hi syve miletit. Pa iu dridhur qerpiku, a thua po tregonte serialin e radhës se ndonjë telenovele turke.

Në një rast si ky, një shtet qe është shtet, veprimin e parë që do të kishte bërë do të ishte rehabilitimi e trajtimi i fëmijëve. Gjetja emergjente e një kujdestari të përgjegjshëm. A do të kishte shans t’i shihte me sy fëmijët në një shtet të Europës një nene që e kthen shtëpinë në baze droge? Ku kokaina pihet pa hesap në prezence të tyre. Ku persona të armatosur me pistoleta e kallashnikovë futen pa teklif në banesën që mungon i zoti i shtëpisë duke vënë në rrezik serioz jetën e tre të miturve.

Ku nëna që kishte gjysmën e Kavajës “shokë” nuk kishte parësore mirërritjen, stabilitetin emocional dhe interesin më të lartë të fëmijëve të saj. Shume gra aktiviste të shoqërise civile krehën flokët nëpër parukerira këto ditë dhe vrapuan të dalin në televizore.

Na u hakërryen në mendje ngushtëve se gjasmë kishim kryqëzuar dhe paragjykuar një nëne fëmijësh, një femër. Na treguan se ne qënkerkshim të prapambetur pasi sot bota qenka e lirë dhe secili ka të drejtë ta jetojë jetën siç do, qoftë edhe duke tradhtuar kurorën.

Jo mor jo, unë nuk mund t’i shtrëngoj dorën për asnjë arsye një gruaje që tradhton burrin, qoftë edhe nëse nevojat e saj biologjike tejkalojnë logjiken… Sepse tradhtia cënon një ndër parimet bazë të martesës që është besnikëria bashkëshortore.

Personalisht s’mund ti jap ngjyrime të tjera figurës se një gruaje me tre kalamaj, e divorcuar nga burri i parë e me të dytin në burg. Aq më tepër ne një qytet te vogël plot thashetheme e paragjykime ku dominon feja e mentaliteti aspak tolerant.

Kësisoj, një grua në Kavajë në kushtet e Marsidës unë e paramendoj në punën e saj, në përpjekje për të rritur ndershëm fëmijët, pakëz kokulur në tentative për të dale nga gojët e liga e ruajtur nderin e saj. Nuk ndiej pikë obligimi t’i dalë në mbrojtje kësaj gruaje që zgjodhi rrugën më të shkurtër për t’u pasuruar duke shkelur çdo parim moral e ligjor. U dashka ta mbrojmë “he, se është femër”?

Jo, para ligjit jemi të barabartë. Më beri shumë përshtypje, se si kjo grua del në TV dhe pa iu dridhur qerpiku thotë se viktimën e kishte pasur shok. Se e ndihmonte ndonjëherë që të pinte kafe tek ajo duke qenë se ai ishte në kërkim, etj etj. Po ku e pinte konkretisht këtë kafen ky i ndjeri për të cilin thua se dilte gjithnjë i armatosur? Ke biznes bar- kafe ti, a ku? Pse nuk njoftove policinë nëse e dije se ky personi që strehoje ti ishte në kërkim? Aq me keq nëse po të bezdiste e të kërkonte marrëdhënie jashtë dëshires tënde… Se s’mund të flasim më për padije dhe injorance.

Një kulture minimaliste juridike duhet ta këtë çdokush sot, se po gëlojnë çdo ditë televizionet me lajme e emisione. Po rrini gjithë ditën nëpër rrjete sociale. Mos i përdorni rrjetet veç për rrjeta peshkimi dreqi ta haje…

Të gjithë e dimë se nëse fshehim një të kërkuar është vepër penale. Nuk mund të justifikohemi me “nuk e dija”. Nuk je kaq e lare ti Marsida, se në shtëpi t’u gjet kokaine, armë, persona me precedentë, persona që ishin në hetim e përgjim. Epo te gjitha rastësisht aty tek ty… Ja, siç i nisni punët ashtu i bitisni. Prano kostot tani.

Unë nuk mund ta pranoj se je viktimë. Ti bere një zgjedhje me dashje e bashkëpunove me persona të skeduar. Sepse të shijoi paraja. S’mund të quhesh viktimë kur ke biznes një agjenci udhëtimi. Ku i more parate zotrote? Ti dha burri që ke në burg për droge apo shoku i burrit që përgjohej po për droge? Lërini viktimizimet.

Unë mbroj një femër të dhunuar, të varfër etj etj, jo ty. Ty s’të mbroj dot!!! Se po përballem çdo ditë me gra të dhunuara e të divorcuara që mezi sigurojnë bukën. Por s’janë si ti. Shkojnë në punë ndoshta edhe të uritura. Ama bëhen shqiponja kur vjen puna për te mbrojtur jetën dhe interesin e fëmijëve të tyre.