Bota NATO fillon stërvitjen më të madhe ushtarake në dekada

NATO fillon stërvitjen më të madhe ushtarake në dekada

NATO filloi të mërkurën stërvitjen më të madhe ushtarake që nga periudha e Luftës së Ftohtë dhe një luftanije amerikane u largua nga Shtetet e Bashkuara për të kaluar përmes Atlantikut drejt territorit të aleancës në Evropë.

Rreth 90 mijë forca marrin pjesë në stërvitjen disamujore të quajtur “Steadfast Defender 2024”. Operacioni stërvitor ka për qëllim të vërë në provë mbrojtjen e NATO-s, ndërkohë që vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të përforcuar arenën euro-atlantike nëpërmjet lëvizjes transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut”, tha Gjeneral Christopher Cavoli, komandanti i përgjithshëm suprem i NATO-s në Evropë.

Stërvitja është projektuar si një simulim i përgjigjes së aleancës prej 31 vendesh anëtare ndaj një sulmi nga një vend rival, si Rusia. Ajo përbëhet nga një seri manovrash më të vogla që do të shtrihen nga Amerika e Veriut dhe deri në krahun lindor të NATO-s, pranë kufirit me Rusinë.

“Steadfast Defender 2024” që do të zgjasë deri në maj. Do të marrin pjesë në manovra mbi 50 anije nga aeroplanmbajtëset deri tek shkatërruesit, si dhe mbi 80 avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë dhe të paktën 1,100 automjete luftarake, duke përfshirë 133 tanke dhe 533 automjete luftarake të këmbësorisë.

Vende të tjera kryesore të stërvitjeve do të jenë shtetet baltike, të cilat shihen si më të rrezikuara nga një sulm i mundshëm rus, Gjermania  një qendër për përforcimet e ardhshme  dhe vendet në skajet e aleancës si Norvegjia dhe Rumania.

Kjo vjen në një moment kur NATO ka transformuar mbrojtjen e saj, që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në vitin 2022. Aleanca ka dërguar mijëra forca ushtarake në krahun e saj lindor dhe ka përgatitur planet më të zgjeruara që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, për t’u mbrojtur nga një sulm i Rusisë. Planet e para të mbrojtjes që aleanca ka hartuar në dekada, duke detajuar se si do t’i përgjigjet një sulmi rus.