Bota Nëna e braktisi, historia e rrallë e një 9-vjeçari në Francë që...

Nëna e braktisi, historia e rrallë e një 9-vjeçari në Francë që do iu emocionojë

Për dy vjet, nga viti 2020 deri në vitin 2022, një djalë 9-vjeçar jetoi i vetëm në një apartament në qytetin e Nersac, në Francën jugperëndimore.

Pas denoncimit të fqinjëve pranë autoriteteve, nëna e djalit u arrestua dhe të martën gjykata e dënoi me gjashtë muaj burg, të cilin do ta vuajë në shtëpi me monitorim elektronik (byzylyk).

Gjithçka nisi në vitin 2020, kur fqinjët vunë re se fëmija 9-vjeçar jetonte vetëm në banesë, duke ngrënë konserva, duke u mbuluar me shumë batanije për të përballuar të ftohtin në dimër, ndërsa fqinjët herë pas here e vizitonin fëmijën dhe i linin ushqim. Sipas shtypit francez, nëna 36-vjeçare, e cila kishte kujdestarinë e djalit, jetonte në një qytet aty pranë me partnerin e saj dhe rrallë shkonte me skuterin e saj në banesën ku ndodhej i biri për të lënë ushqim.

Në raportin e xhandarmërisë vendase thuhet se fëmija kujdesej për gjithçka vetë, çdo ditë merrte autobusin për në shkollë, kujdesej vetë për higjienën, ndërsa sipas dëshmisë së një fqinji, shpeshherë i vidhte domatet që kishte mbjellë në ballkon për të ngrënë.

Gjykata dëgjoi se 9-vjeçari ushqehej me biskota ose me konserva, ndërsa një fqinj që banonte në banesën ngjitur i tha xhandarmërisë: “Kam bërë një kopsht të vogël dhe i vogli ka ardhur fshehtas që të marrë domate për të ngrënë…”.

Banesa ku jetonte djali fatkeq nuk kishte ngrohje dhe rrymë, ndaj kur bënte ftohtë fëmija mbështillej me shumë batanije për t’u ngrohur.

Por paradoksi është se pavarësisht kushteve të vështira në të cilat jetoi, nuk i mungoi shkollës dhe ishte një nxënës i shkëlqyer.

Mësuesit dhe nxënësit e tjerë kurrë nuk e kuptuan se çfarë po përjetonte ai. Kryebashkiakia e Nersac, Barbara Coutrier, deklaroi se 9-vjeçari ishte gjithmonë e buzëqeshur, një nxënës shumë e mirë dhe një fëmijë shumë i sjellshëm. Ajo tha: “Nuk kishte asnjë shenjë se ai ishte një fëmijë i braktisur”.

Një shok klase i djalit tha për mediat se fëmijët në shkollë nuk e besuan 9-vjeçarin kur ai u tha se ha vetëm dhe merr autobusin çdo ditë vetëm për në shkollë. Sipas shokëve të klasës, fëmija nuk dilte nga shtëpia pas shkollës.

Pas gjyqit të nënës së tij, djali iu dha për një vit në një familje kujdestare. Një fqinj deklaroi se ai nuk dëshiroi të shihte më nënën e tij dhe pohoi se 36-vjeçarja e vizitonte rrallë djalin e saj dhe kur fqinjët e këshilluan të mos e linte vetëm, ajo u tha atyre se “kjo nuk është punë e tyre”.