Sport Partizani “tradhtohet” nga kapiteni, merr barazimin e pestë

Partizani “tradhtohet” nga kapiteni, merr barazimin e pestë

Partizani abonohet me barazimin 1-1, rezultat të cilin e ka regjistruar në 5 nga 7 ndeshjet e këtij sezoni, teksa dy të tjerat i ka humbur dhe do të duhet të presë ende për të shijuar fitoren e parë.

Mes mungesash të shumta dhe plagës së humbjes në derbi, pritej që “të kuqtë” të reagonin dhe të kërkonin fitoren ndaj Egnatias, por dëshira nuk mjaftoi, ndaj u detyruan të kënaqen me vetëm një pikë në “Air Albania”.

Në një stadium të mbyllur për shkak të dënimit nga FSHF-ja, Partizani nuk arriti të bëjë mjaftueshëm për të shkuar te fitorja dhe për më tepër, u la sërish në baltë nga kapiteni Alban Hoxha, i cili pësoi një gol qesharak që në minutat e para të ndeshjes.

Pas 7 javëve të para, Partizani mbetet në vendin e 8 me vetëm 5 pikë të grumbulluara, ndërsa rrogozhinasit mbeten të 6-ët me 9 pikë, aq sa ka edhe Vllaznia e Dinamo.