Politika Përplasja me Flutura Açkën, Bardhi i përgjigjet Bashës: I paburri keqpërdor zonjat...

Përplasja me Flutura Açkën, Bardhi i përgjigjet Bashës: I paburri keqpërdor zonjat për të shtuar katet

Mbledhja e Komisionit të Medias është shoqëruar më tensione mes anëtarëve të opozitës. Lidhur me përplasjen me kolegët demokratë ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi i cili është shprehur i keqardhur nga debati me kolegë të opozitës.

Bardhi theksoi se është fakt i njohur që opozita është në një betejë kundër mazhorancës në Kuvend, dhe çdo opozitar duhet të jetë krah njëri-tjetrit në këtë betejë.

Bardhi sulmoi Bashën, ndërsa tha se tentativa për të provokuar me “normalitet të rremë”, është strategjia e një të paburri, që vetë rri në shtëpi e kujdeset të shtojë katet në Kulla.

“Absolutisht i keqardhur nga debati me kolegë të opozitës! Por, është fakt i njohur që opozita është në një betejë kundër mazhorancës në Kuvend, dhe çdo opozitar duhet të jetë krah nesh në këtë betejë, dhe jo përballë njëlloj si Edi Rama. Tentativa për të provokuar me “normalitet të rremë” i kolegëve të opozitës, nuk mund të jetë kurrë strategjia e një opozitari. Ajo është vetëm strategjia e një të paburri, që vetë rri në shtëpi e kujdeset të shtojë katet në Kulla, ndërkohë që keqpërdor për fasadë të pazareve në kurriz të demokratëve, ndershmërinë e disa zonjave deputete, që vazhdojnë të besojnë gënjeshtrat e tij!”, shprehet në reagimin e tij deputeti Bardhi.