Aktualitet Pësimi si “modus vivendi”, mësimi si teatër “Molieri”…

Pësimi si “modus vivendi”, mësimi si teatër “Molieri”…

Nga Isidor Koti

Ekzistojnë dy mënyra për tu nënshtruar ndaj rregullave; ose do mësosh që të mos e pësosh, ose do e pësosh që të mësosh. Në të shumtën e rasteve, kronologjia e jetës sonë na ka treguar se kemi prirje thuajse gjenetike të zgjedhim variantin e dytë. Ne i zbatojmë rregullat duke e pësuar, mundësisht rëndë, që ta mbajmë mend gjatë e të mos i kthehemi gabimit prapë. Ky nuk është një përgjithësim qejfdashës, as tendencioz ndaj etnocentrizmit, por një mësim tjetër që të mos e pësojmë vazhdimisht dhe për çdo gjë. Retrospektiva në këtë rrafsh nuk do kishte vlerë.

Po pse pësimi na është bërë “modus vivendi”, e thënë më shqip “mënyrë jetese”? Dhe ç’lidhje ka mësimi me teatrin e Molierit?! Kjo përqasje duket se ka doza ironie, por në fakt nuk është kjo e vërteta. Pësimi nga ndëshkimi ka si qëllim ndryshimin e sjelljes dhe disiplinimin, por kjo çështje tek ne ka marrë natyrën e komedisë së Molierit. Ai shprehu nëpërmjet teatrit mendimin e vet për shumë nga problemet kryesore të epokës kur jetoi, si për shembull: hipokrizinë shoqërore, degjenerimin moral e shpirtëror, preciozitetin, kopracinë, tendencën e një pjesë të borgjezisë për të imituar fisnikërinë, despotizmin prindëror etj. (shih për më shumë rreth autorit dhe krijimitarisë së tij ëikipedian në internet).

A ka përqasje me çështjen që po trajtojmë? Unë mendoj që temave të Molierit nuk i hiqet asgjë nga teatri i mësimit tonë nga pësimet.

Të gjitha kanë lidhje me komunitetin shoqëror dhe dinamikën e jetës brenda tij. Sidomos në vendin tonë vihet re një vullnet i përgjithshëm për të shkuar me dëshirë drejt pësimit, edhe pse rregullat ekzistojnë me përpikmëri. Por asgjë nuk merret në konsideratë nëse nuk bëhen shembuj ndëshkimi dhe nëse nuk ka një masë të ndëshkuarish. Për fat të keq, na pëlqen apo jo, le ta pranojmë se në këtë drejtim shprehim natyrën e theksuar egoiste dhe aspak largpamëse. Pragu e brenda dhe ç’bëhet jashtë nuk përbën interes, as rregulli, as hierarkia dhe as disiplina në sistemimin e bashkëjetesës në komunitet.

Nëse nuk do të ketë zbatim rigoroz të ligjit ndaj shkelësve, jeta e komunitetit do të jetë një det me dallgë të vazhdueshme. Nëse nuk do veprohet ndaj detajeve që duken gjoja të vogla, siguria në komunitet do të jetë përherë e pasigurt. Nëse nuk do të ketë bashkëveprim midis institucioneve dhe individëve, topi i përgjegjësisë do të mbetet në fushën e askujt. Të flasim me shembuj? Me letra dhe fotografim rastesh do të ishte më mirë. Siç i erdhi në kutinë postare një banori shqiptar në Londër gjoba 37 paund me datë, orë dhe fotografi për lënien e qeses së plehërave te dera jashtë apartamentit, edhe pse e kishte harruar. Bëre gabim dhe e pësove? Përsërite prapë po ta mbajti… Ky ishte mesazhi i nënkuptuar.

Po te ne çfarë ndodh? Ankohu sa të duash, por nuk të dëgjon askush. Sepse nuk është kjo forma e saktë. Pse duhet të marrë administratori i pallatit apo banori i thjeshtë rolin e edukatorit të kopshtit duke thënë: Mos i lër plehërat aty, mos shkel murin me këmbë, mos bë zhurmë në orët e drekës apo të natës kur njerëzit pushojnë etj, etj. E kuptoni që nuk funksionon këtu mësimi dhe ndërgjegjësimi? Ngaqë pësimi është bërë mënyrë jetese, prandaj duhet punuar më shumë me zbatimin e ligjit pa bërë dallime, që të mos vazhdojmë të jemi përsëri ne aktorët përsëritës të teatrit të Molierit.