Aktualitet “Plumbi i Artë” shkon në gjykatë, Nuredin Dumani zbardhi 18 ngjarje kriminale

“Plumbi i Artë” shkon në gjykatë, Nuredin Dumani zbardhi 18 ngjarje kriminale

Mbyllen hetimet për operacionin “Plumbi i Artë”, SPAK ka kaluar dosjen për gjykim. Nga kjo dosje u zbardhën 18 ngjarje të rënda kriminale ndër vite, ndërsa prokuroria u komunikoi akuzat të pandehurve. Në këtë dosje voluminoze janë firmosur 32 urdhërarreste nga të cilat u ekzekutuan 19 prej tyre.

Hetimi penal i regjistruar në prill të këtij viti pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe mikut të tij Henrik Hoxhaj nxorri në dritë vlera që shkonin nga 30 mijë në 500 mijë Euro për ekzekutime, teksa pritet të shtrihet edhe në ngjarje të tjera që janë rrëfyer nga bashkëpunëtorët.

Nuredin Dumani, personazhi i cili ishte ura lidhëse e disa grupeve kriminale, nxori me dëshminë e tij emra të fuqishëm të botës së krimit, si Suel Çela, Ervis Martinaj, Florenc Çapja, Talo Çela, Kamber Mehja, si porositës të disa krimeve.

Për 32 personat, për të cilët ka urdhërarreste pritet edhe një skanim i pasurisë së tyre dhe familjarëve të tyre pasi ka dyshime se janë përfituar nga të ardhura me burim nga bota e krimit dhe trafiqet.

Nuredin Dumani u arrestua në 29 mars në një apartament në Fier, 2 vite nga momenti që ishte futur në listën e shumë të kërkuarve të Policisë. Ai po merrte mjekim pasi u plagos në fshatin Paper të Elbasanit.

Hetuesit besojnë se në 29 mars, 39-vjeçari ishte nisur të kryente një atentat në Elbasan, por mbeti i plagosur pasi ra në pritë, dyshohet nga Talo Çela. Miqësia me këtë të fundit, mendohet se u prish për paratë e grabitura në Rinas në 9 prill të 2019.

Nuredin Dumani është në gjykim për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, si dhe për ekzekutimin e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në Durrës.

Ai është i dyshuar edhe për përfshirjen në vrasjen e trefishtë në Bradashesh ku u ekzekutua Endrit Alibeaj dhe 2 të afërm të tij, si dhe për vrasjen e vëllait të Talo Çelës.