Aktualitet Rrezikuan jetën e pushuesve, ndëshkohen drejtuesit e skafeve në Borsh dhe Potam

Rrezikuan jetën e pushuesve, ndëshkohen drejtuesit e skafeve në Borsh dhe Potam

Tre drejtues të mjeteve lundruese, janë ndëshkuar me gjobë prej 100  mijë lekësh të reja nga Policia Kufitare e Vlorës, pasi kanë shkelur perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve në plazh.

Policia bën me dije se ka bllokuar 3 mjetet lundruese, respektivisht 1 anije turistike dhe 2 skafe.

Një prej skafeve, është konstatuar duke lundruar jashtë zonës së përcaktuar për mjetet lundruese në plazhin e Potamit në Himarë.

Ndërkohë që anija turistike dhe skafi tjetër janë gjobitur në plazhin e Borshit dhe Krorëzit, për shkak se janë afruar në breg duke shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke rrezikuar jetën e pushuesve.

“Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhisët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit”, thuhet në njoftimin e policisë.