Kryesore Protestë para ministrisë së Brendshme për Jonadën: Të dorëhiqen Çuçi dhe Kumbaro

Protestë para ministrisë së Brendshme për Jonadën: Të dorëhiqen Çuçi dhe Kumbaro

Ka nisur para ministrisë së Brendshme protesta e organizuar nga shoqëria civile për vdekjen e vogëlushes Jonada Avdia, e cila humbi jetën dy ditë më parë, ndërsa lahej në det pasi u përplas nga një skaf i fuqishëm që drejtohej nga një polici Arian Tase.

Protestës së shoqërisë civile nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti” i janë bashkuar edhe mbështetës të opozitës.

Protestuesit kërkojnë përveç dënimit maksimal për autorin e ngjarjes dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe asaj të Turizmit, Mirela Kumbaro.

Aktualisht autori i kësaj ngjarje të rëndë Arjan Tase është arrestuar dhe policia ka referuar për të akuzën e vrasjes nga pakujdesia , e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg, akuzë kjo që sipas burimeve pritet të ndryshojë nga prokuroria në seancën që do të mbahet të premten në Gjykatën e Vlorës.

7-vjeçarja Jonada Avdia u godit nga skafi me motor të fuqishëm në plazhin e Potamit, pasi efektivi Tase kishte lënë familjen e tij dhe me shpejtësi po manovronte për t’u kthyer në det të hapur.

Mëngjesin e së enjtes, drejtues të opozitës, por edhe vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ishin për ngushëllim në familjen e viktimës.

Për këtë ngjarje të rëndë, u shkarkuan nga detyra dhe zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit në Vlorë.