Kryesore Pse po bëhen kaq pak teste dhe a do përfundojmë si Italia?...

Pse po bëhen kaq pak teste dhe a do përfundojmë si Italia? Flet Rama

Kryeministri Edi Rama bëri një lidhje skype në Open në Top Channel ku foli për masat e marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kryeministri u pyet edhe për testet e pakta që po zhvillohen.

Pyetjes se sepse po bëhen kaq pak tamponë, Rama iu përgjigj kështu: “Unë mund të bëj një tampon dhe mund të rezultoi pozitiv. E vetmja gjë që do më thonë është qëndro në shtëpi dhe kujdesu për vetën me ato ilaçe. Këtë ma thonë edhe pa bërë testin. U kemi kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi. As Zvicra dhe asnjë vend tjetër nuk bëjnë tamponë të shumtë, bëjnë vetëm për ato që kanë simptoma të shumta. Në Zvicër plumbat ndaj armikut janë ruajtur vetëm për moshat mbi 65 vjeç”.

Rama deklaroi më tej se në këtë luftë të gjithë vendet janë vetëm dhe në këtë luftë nuk ka solidaritet ndërkombëtar, ende.

I pyetur, se jemi i vetmi vend që kemi ndërmarrë masa shtrënguese si ajo për të dalë vetëm nga shtëpia, Rama tha se, “nuk duhet të shikojmë nëse jemi vetëm apo me të tjerë, por të bëjmë maksimumin për veten tonë. Në këtë luftë të gjithë vendet janë vetëm dhe në këtë luftë nuk ka solidaritet ndërkombëtar, ende. Pra ajo që ne na takon, duke mos qenë Amerika, Gjermania apo Franca, që kanë shumë më tepër mjete financiare në dispozicion dhe megjithatë po dridhen përballë këtij armiku, të bëjmë të gjitha gjërat e duhura pa asnjë kompromis që rrezikon jetën. Nëse doni vende të tjera mund t’ju them që në Itali mund të dalësh vetëm me qenin nuk del dot me njeri tjetër në bazë të ligjit. Për daljen vetëm. Tjetër gjë pastaj që shumëkush e shkel ligjin dhe rezultatet e shikoni përditë në shifrat e tmerrshme të të prekurve dhe vdekjeve”.

I pyetur nëse në skenarin më të keq mund të jemi si Italia, Rama u shpreh se, “askush nuk e di këtë. Të gjithë në botë dinë vetëm një gjë dhe kanë rënë dakord sot që flasim me një gjë, me gjënë që ne bëmë në fillim fare që masat shtrënguese janë i vetmi instrument që kemi për të luftuar këtë armik, për të cilin nuk kemi ilaç, pra nuk kemi një armë që ta vrasim dhe të çlirohemi nga ky makth. Kemi vetëm masat shtrënguese”.

I pyetur se ka vende si Suedia apo Koreja e Jugut që e kanë mundur koronavirusin pa ndalime, Rama tha se, “kjo është e pavërtetë. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk e kanë mundur dhe unë ndër të tjerë kam në linjë direkte edhe autoritete në Suedi, me të cilët komunikoj. Është e pavërtetë që Suedia e ka mundur virusin”.

I pyetur mbi perceptimin e qytetarëve sikur qeveria vetëm po ndëshkon me këto masa, Rama tha se, “mbase ju e keni këtë perceptim. Unë besoj që 99% e popullit shqiptar kanë perceptim tjetër që qeveria po bën gjënë e duhur dhe masat shtrënguese janë e vetmja rrugë për t’u përballur me këtë armik. Ndërkohë që sa i përket aspekteve të tjera  që kanë të bëjnë me mbështetjen për njerëzit, të cilët janë dëmtuar nga kjo luftë, jemi duke punuar ditë-natë dhe do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë e këtij vendi,  duke pasur parasysh nevojën për të lehtësuar njerëzit, por edhe domosdoshmërinë që ky vend të mos vetëvritet ndërkohë që përpiqet të luftojë armikun. Që do të thotë që ne do të mendojmë për sot dhe për nesër. Do të mendojmë për të përballuar luftën dhe do të mendojmë pastaj për të vazhduar jetën në paqe”.