Kryesore Pse shqiptaret kanë pushtuar majat e muzikës botërore?

Pse shqiptaret kanë pushtuar majat e muzikës botërore?

Nga e majta: Max, Lipa, Rexha dhe Njomza

Bebe Rexha, Rita Ora, Ava Max, Dua Lipa apo Njomza. Yjet shqiptare të muzikës kanë kapur majat botërore. Por si është i mundur një sukses i tillë? Ja çfarë shkruan revista e madhe muzikore, Billboard

Nga Gary Trust, Billboard

Më 8 dhjetor të vitit të shkuar, Bebe Rexha postoi një foto në Twitter bashkë me Dua Lipën, shoqëruar nga diçitura: “Dy vajza shqiptare të nominuara për dy çmime Grammy. Për të gjithë vajzat shqiptare, dhe për të gjithë vajzat në mbarë botën, gjithçka është e mundur nëse ndiqni ëndrra tuaja dhe i bëni gjërat siç dëshironi”. Më 28 janar, ajo u bëri thirrje edhe dy talenteve shqiptare: “Dua një bashkëpunim me Dua Lipën, Rita Orën dhe Ava Max”.

Mesazhi i Rexhës tregon rritjen e ndjeshme të artisteve shqiptare në ‘Billboard Hot 100’ gjatë vitit të fundit. Ajo vetë theu rekordin për më shumë javë në vendin e parë në ‘Hot Country Songs’ me hitin ‘Meant To Be’. Lipa kryesoi listën kryesore për katër javë me hitin ‘New Rules’. Ora kishte dy këngë në dhjetëshen e parë të ‘Dance Club Songs’ dhe Max u fut në ‘Hot 100’ me hitin e saj debutues “Sweet but Psycho’. Të katër artistet kanë prindër shqiptarë, edhe pse kanë lindur në vende të tjera: Ora në Jugosllavi, në Kosovën e sotme; Rexha në Bruklin, Lipa në Londër dhe Max në Miluoki.

Këngëtarja dhe autorja e teksteve, Njomza, që ka bashkëshkruar hitet e Ariana Grande “Thank U, Next” dhe “7 Rings” është një tjetër artiste e suksesshme me origjinë shqiptare. E lindur në Gjermani dhe e rritur në Çikago, ajo thotë se tranzicioni i Shqipërisë nga sundimi komunist në një demokraci në fillim të viteve ’90 ushqeu këtë shpërthim kreativ të brezit të saj. “Nëse ka diçka që e ka nxitur këtë, është ambicia që kemi si komb”, thotë ajo.

“Dëshira për të krijuar një jetë më të mirë”, thotë Max. “Nëna ime më thoshte gjithmonë se ‘jemi kështu pasi jemi shqiptarë’. Jemi pak të çmendur dhe nuk heqim dorë kurrë. Është në gjakun tonë”.

Njomza thotë se zhanret popullore muzikore në vendin e saj janë pop, rock dhe EDM, të ndaluara gjatë kohës që vendi ishte nën komunizëm. “Shqiptarët nuk po ia dalin mirë jashtë shtetit, por ka edhe një komunitet të madh artistësh atje”, si raperat Lyrical Son dhe Capital T si dhe këngëtarja Dafina Zeqiri, që luajnë në të gjithë Europën. Njomza shton: “Është një vend që përparon”.