Extra “Puna ime e parë ka qenë çoban”, Gentian Zenelaj rrëfen pa dorashka...

“Puna ime e parë ka qenë çoban”, Gentian Zenelaj rrëfen pa dorashka kujtimet e tij në qytetin e lindjes

Aktori i njohur Gentian Zenelaj ka zbuluar punën e tij të parë që ka bërë në adoleshencë. Zenelaj ka zbuluar për herë të parë se kur jetonte në Lezhë ai ka qenë edhe çoban me dhitë e dajave.

“Gjetja e një kujtimi për mua është shumë e çmuar. Më ndodh shumë shpesh në Lezhë kur ulem buzë Drinit, pi një kafe po tek vendvarrimi i Skënderbeut, teksa rri mendueshëm ndër 100 mendimet që kam në kokë del një fill si tek filmi i Harry Potter del një fill nga koka dhe janë një varg kujtimesh të cilat vijnë që lidhen me fëmijërinë tënde”, ka treguar ai për “Rudina”.

Më tej aktori rrëfeu: “Unë në Lezhë kam parë aventura të papara, unë në Lezhë kam qenë edhe çoban. Dajat e mi kishin një tufë me dhi, se atëherë sa filluan të mbanin bagëti, sa u krijua demokracia dhe unë Kalanë e Lezhës e njoh pëllëmbë për pëllëmbë sepse aty janë dhe gurët ciklopikë, janë ata gurët e mëdhenj, gurët Ilirë dhe për ne ishte një skenografi e jashtëzakonshme. Sa herë që unë shkoj në Lezhë, mundohem t’i gjej me sy kalatë, tani janë bërë shumë ndërtime dhe sa mirë do ishte Bashkia e Lezhës ti zbulonte ato gurë sepse janë të jashtëzakonshëm për t’u parë.

Largimi im ka ndodhur në ’97, ishte mbarimi im i gjimnazit dhe provimi jonë i maturës ishte me autoblinda. Unë e mbaj mend si tani që provimin e kemi bërë këmbëkryq në tokë sepse klasa ishte djegur dhe poshtë tek dera e shkollës kanë qenë autoblinda sepse duhet të kalonte ky gjimnaz dhe shumë miqtë e mi zgjodhën, Italinë, Francën, unë erdha në Akademinë e Arteve.

Ka ndodhur gjithçka brenda një muaji. Me shumë keqardhje e lashë Lezhën sepse siç e thashë vendlindja është varri i të parëve që të lidh me njerëzit e tu të dashur. Lezhën e lashë me shumë keqardhje sepse realisht ka qenë një qytet i mrekullueshëm për të jetuar. Ka qenë interesant, intelektual se kishte shumë baza detare, baza aviacioni, kishte intelektualë, kishte poetë shumë, artista dhe e lashë me shumë keqardhje. Por ishte një vit shumë i vështirë kur u largova. Tiranën prapë e dua shumë sepse më hapi krahët dhe i jam mirënjohës sepse krijoi habitatin që unë të jetoja, kam familjen, fëmijët, kam bashkëshorten. Djali im e thotë që unë jam nga Lezha“.