Bota Qershori, muaji më i nxehtë në histori

Qershori, muaji më i nxehtë në histori

Muaji qershor, për hemisferën veriore renditet ndër më të nxehtit në histori. Situatën më të rëndë e ka përjetuar Amerika e Veriut, ku temperatura deri në 50 gradë zgjatën për disa ditë në Kanada e në veri të Shteteve të Bashkuara, në zona që shquhen për temperatura të acarta gjatë pjesës më të madhe të vitit, e ku i nxehti u bë shkak për vdekjen e të paktën 500 personave.

Edhe rajoni i Siberisë në Rusi, po ashtu e gjithë Europa përjetoi temperatura ekstreme. Nga matjet satelitore të Agjencisë Europiane të Hapësirës rezultoi se temperaturat ishin 5 gradë Celsius më të larta se rekordet e regjistruara deri më sot.

Shkencëtarët thonë se shekullin e fundit, temperaturat mesatare kanë pësuar vetëm rritje dhe asnjëherë rënie, çka tregon edhe tendencën për vitet e ardhshme.

I nxehti ka shtuar intensitetin e fenomeneve ekstreme. Rasti më i fundit ishte uragani Elsa që goditi Kubën dhe gjirin e Meksikës me shpejtësi deri 100 kilometra në orë, e që i mori jetën disa personave.

Stuhitë e shiut dhe breshërit që përjetuan disa vende europiane javët e fundit janë po ashtu shembuj konkretë që tregojnë se klima po ndryshon me ritme të shpejta dhe një kambanë alarmi për masa të menjëhershme para se të mos jetë vonë.