Aktualitet Qeveria miraton hartën e re gjyqësore

Qeveria miraton hartën e re gjyqësore

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh këtë të enjte se në mbledhjen e qeverisë është miratuar harta e re gjyqësore. Ministri Manja u shpreh se në gjykatat që do të mbyllen nuk do të cënohet asnjë shërbim gjyqësor.

“Në mbledhjen e qeverisë është miratuar harta e re gjyqësore. Shqipëria me hyrjen në fuqi të kësaj harte do të ketë 13 Gjykata të Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm, 1 Gjykatë Apeli me juridiksion të përgjithshëm dhe 2 gjykata Administrative të Shkallës së Parë. Miratimi i hartës së re gjyqësore është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Harta e re gjyqësore është bashkëpropozim i KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë. Dua të bëj me dije për opinionin publik që në gjykatat që do të mbyllen nuk do të cënohet asnjë shërbim gjyqësor. Qytetarët do t’i marrin të gjitha shërbimet gjyqësore në strukturat ekzistuese të gjykatave”.

Më tej, ai shtoi se implementimi i hartës do të bëhet me faza.

“Në 1 Shkurt do të kemi përqendrimin e gjykatës së apelit në Tiranë. Në 1 Maj do të jenë Gjykatat e Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe në 1 Korrik do të jenë Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë”, u shpreh Manja.

Ministri tha se harta e re gjyqësore ka disa risi.

“Do të standardizojë kohën mesatare të dhënies së vendimit. Do të bëjë një shpërndarje të drejtë të çështjeve tek gjyqtarët. Do të ulë kostot e dhënies së drejtësisë. Do të kemi një short real dhe efikas në shpërndarjen e çështjeve tek gjyqtarët. Gjithsesi ajo kemi sfidë me implemetimin e hartës është që këtë fazë tranzitore do ta shfrytëzojmë si një periudhë të edukimit ligjor të qytetarëve si dhe ambientimit dhe familjarizimin e qytetarëve me gjykatat e reja që krijohen”, tha Manja.