Politika Rama: BE i dha Ukrainës një “antidepresiv”, po pengon avancimin e kundërreformës...

Rama: BE i dha Ukrainës një “antidepresiv”, po pengon avancimin e kundërreformës së Putinit

Kryeministri Edi Rama tha se nuk ka frikë që Ukraina mund të parakalojë Shqipërinë në rrugën e integrimit Europian. Kievi mori statusin e vendit kandidat pas rreth 120 ditësh nga aplikimi zyrtar, ndërkohë që Shqipërisë iu deshën 5 vite për ta marrë.

“Statusi kandidat është si antidepresiv, për të dhënë pak moral, për të rritur hormonet për të ecur përpara për ca kohë. Pastaj kupton se ka shumë për të bërë. Vetëm se shpresoj që Ukraina të mos presë 117 vite, siç po pret Maqedonia e Veriut prej 17 vitesh. Ata e meritojnë absolutisht. Ndoshta janë prapa me reformat, por po parandalojnë përparimin e kundërreformës më të frikshme të botës, që Putin dëshiron të realizojë. Nuk më ka shkuar kurrë në mendje që është e padrejtë”, tha Rama në një intervistë për “France 24”, të publikuar të premten.

Kryeministri përsëriti edhe një herë zhgënjimin për mosmbajtjen e premtimeve nga ana e Bashkimit Europian, që edhe një herë vendosi të mos caktojë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Shqipëria nuk ka bërë përparime të ngadalta drejt Bashkimit Europian, por Bashkimi Europian na ka ngadalësuar në rrugën tonë drejt anëtarësimit. Samiti i fundit ishte shembull ekzemplar i këtij ngadalësimit, dhe një pafuqi para pengmarrjes nga Bullgaria. Më vjen keq për BE-në. Të gjithë liderët e BE-së shprehën keqardhje për mos mbajtjen e premtimeve ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.

“Shqiptarët janë vendi më proeuropian. Për ne është e qartë që nuk ka alternativë tjetër. Për ne Europa është fe, kështu që nuk ka dyshime për destinacionin tonë. Më e rëndësishme është të ndërtojmë në vendin tonë dhe rajonin tonë një realitet të BE-së sa i përket standardeve, institucioneve dhe marrëdhënieve të shtetit me individët”.

Rama tha gjithashtu se Shqipëria do të kërkojë shkëputje nga Maqedonia e Veriut në këtë proces, nëse Sofja vijon të mos heqë veton e saj. “Nëse kjo çmenduri bullgare do të vazhdojë, rrugët tona duhet të ndahen. Edhe pse jemi bashkë me Ballkanin e Hapur. Rajoni ynë është pika më e dobët e zinxhirit e Europës dhe është vulnerabël përballë agresionit rus, kështu që nuk duam kërcënime të tilla të rrezikojnë paqen që po ndërtojmë”.