Aktualitet Rosakë të artë plot me kokainë, mënyra unike si e fuste 29-vjeçari...

Rosakë të artë plot me kokainë, mënyra unike si e fuste 29-vjeçari shqiptar drogën në Britani

Një 29-vjeçar shqiptar u vu në pranga nga policia e Britanisë së Madhe pasi importonte sasi të konsiderueshme kokaine në vend në një mënyrë krejt të veçantë.

Shqiptari me emrin Aldo Alushi, pranoi përpara efektivëve se ai arrinte ta fuste lëndën narkotike të cilësisë A  nga Kolumbi në Mbretërinë e Bashkuar përmes disa statujave rosakësh të lyer me bojë të artë

Agjencia Kombëtare e Krimit nisi një hetim kur agjentët e kufirit kaluan në rreze X një pako që vinte nga qyteti i Kali në Kolumbi,

Në pakon prej druri, kishte brenda një statujë rosaku që për oficerët ishte shumë e dyshimtë. Pas testimeve të kryera rezultoi se materiali me të cilën ishte ndërtuar statuja nuk ishte gjë tjetër veç kokainë e pastër.

Më pas, oficerët ndoqën adresën ku ishte dërguar pakoja në Milward në Harlow ku arrestuan dhe 29-vjeçarin shqiptar Aldo Alushi.

Gjatë kontrollit në banesë atij iu gjetën disa telefona dhe karta identiteti me emra të ndryshëm. Alushi qëndronte në Britani në mënyrë të paligjshme dhe në fillim deklaroi se rosaku me drogë nuk i përkiste atij, por një shqiptari tjetër që e kishte ndihmuar të hynte në vend.

Tashmë atij do t’i duhet të përballet me drejtësinë për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.