Bota Rregullat klandestine të CIA-s për luftën në Ukrainë: “Paktet e pashkruara” me...

Rregullat klandestine të CIA-s për luftën në Ukrainë: “Paktet e pashkruara” me Moskën dhe Kievin

William Burns, 67 vjeç, drejtor i CIA-s

SHBA injoron synimet e Putinit, por edhe të Zelenskit. Sfida kryesore e agjencisë së inteligjencës amerikane, është të kuptojë se çfarë do të bëjnë, duke shmangur lëvizjet e Kievit që mund të kërcënojnë Rusinë dhe të “justifikojnë” një përshkallëzim.

Andrea Marinelli dhe Guido Olimpio*

Shtetet e Bashkuara nuk i dinë qëllimet e Vladimir Putinit, por gjithashtu injorojnë ato të Volodymyr Zelenskit. Dhe ata kanë frikë nga lëvizjet e tij.

Dyshimet kishin rrjedhur disa herë që nga fillimi i luftës, deri në atë pikë sa në disa raste – duke filluar nga vrasja e Darya Duginas në periferi të Moskës – administrata amerikane kishte “thirrur” lëvizjet e Kievit, nga të cilat nuk kishte qenë e informuar, duke zbuluar përgjegjësitë e tyre.

Një konfirmim i mëtejshëm i kësaj mungese komunikimi, tani vjen nga një hetim i gazetarit amerikan William Arkin, i cili, pasi foli me një duzinë zyrtarë të nivelit të lartë në inteligjencën amerikane, mblodhi “rregullat” e vendosura nga CIA për konfliktin në zhvillim.

Sfida kryesore e agjencisë, zbulon Arkin në artikullin e tij në të përjavshmen “Newsweek”, është të kuptojë se çfarë do të bëjnë të dyja palët, duke shmangur lëvizjet e Kievit që mund të kërcënojnë Rusinë dhe të “justifikojnë” një përshkallëzim të Putinit.

Doktrina mbrojtëse e Rusisë, parashikon përdorimin e armëve bërthamore nëse vihet ekzistenca e tyre në rrezik dhe në Uashington nuk duan të japin asnjë justifikim.

Pakti – i pashkruar – parashikon që në këmbim, Kremlini shmang një përshkallëzim dhe nuk përdor bomba atomike.

“Ka një luftë klandestine, me rregulla klandestine, në rrënjë të asaj që po ndodh në Ukrainë”, – i shpjegoi Arkinit një zyrtar anonim i administratës së Biden, i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin e konfliktit.

Uashingtoni dhe Moska – thotë ai – kanë formësuar këto rregulla për dekada dhe CIA luan role të shumta në lojën ukrainase: spiunazh, negocim, furnizim me inteligjencë, logjistikë, garantues i marrëdhënieve me aleatët e NATO-s dhe, mbi të gjitha, kujdestari.

“CIA është në terren, por kjo nuk është aspak një gjë e keqe”. As CIA dhe as Shtëpia e Bardhë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht praninë e njerëzve të agjencisë në terren, por ata e bënë këtë në mënyrë indirekte, duke i kërkuar Arkinit që të mos zbulojë pozicionet e tyre në Ukrainë dhe Poloni dhe të mos i emërtojë vendet e tjera të përfshira në operacione të paligjshme dhe as linjën ajrore të cilës i është besuar përpjekja logjistike.

Në Ukrainë, sipas llogaritjeve të gazetarit amerikan, nuk do të kishte kurrë më shumë se njëqind burra. Ndihma, nga ana tjetër, ndjek dy kanale, një publik dhe një klandestin. E para bazohet në portet e Belgjikës, Holandës, Gjermanisë dhe Polonisë, nga ku furnizimet mbërrijnë më pas në Ukrainë me kamionë, trena dhe aeroplanë.

Ai klandestin i është besuar avionëve komercialë – “flotës gri” – dhe lëviz armët në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke mbështetur operacionet e CIA-s.

Ndërkohë që ndihmon Ukrainën kundër Rusisë, megjithatë, shpjegojnë burimet, Shtetet e Bashkuara nuk janë aleate me Kievin dhe nuk janë zyrtarisht në luftë me Moskën.

Pavarësisht se kanë ofruar ndihmë me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, shumica e asaj që bën Uashingtoni për të ndihmuar Ukrainën, mbahet sekret dhe për këtë arsye detyrat që zakonisht i besohen ushtrisë, i kryen CIA.

Megjithatë, çdo operacion duhet të respektojë kufijtë e vendosur nga presidenti Joe Biden dhe është një ekuilibër shumë i ndërlikuar.

Për këtë arsye, agjencia distancohet nga çdo veprim që sugjeron një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, siç ndodhi me Duginan, me Nord Stream-in, me sulmin në urën e Kerçit dhe me operacione speciale përtej kufirit.

CIA kishte gjithashtu detyrën të bindte dhjetëra vende – si Britania e Madhe dhe Polonia, të cilat do të donin të merrnin përsipër rreziqe më të mëdha, apo të tjera që duhet të përballeshin me një opinion publik të brendshëm më pak të bashkuar – të respektonin këto rregulla klandestine, duke punuar ngushtë me inteligjencën dhe shërbimet sekrete.

Agjencia ka ngritur bazat e veta të operacioneve, ka vendosur kontakte me vendet fqinje të Ukrainës, ka përgatitur misione të fshehta për të ndihmuar rezistencën në përdorimin e sistemeve të reja të armëve, duke u përpjekur gjithmonë të shmangë konfrontimin e drejtpërdrejtë me trupat ruse.

Në krye të agjencisë është William Burns, një diplomat shumëvjeçar dhe ish-ambasador në Rusi, figura qendrore e angazhimit amerikan.

Para konfliktit, ai fluturoi për në Moskë për të shmangur sulmin dhe, megjithëse Putinin nuk e takoi, ai komunikoi me presidentin rus përmes një linje të sigurt.

Më pas, ai i dha Kievit plane sulmi, duke ndihmuar rezistencën të zmbrapste pushtimin. Që nga ai udhëtim në Moskë në nëntor 2021, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë pranuar disi rregullat e lojës: e para nuk do të luftojnë drejtpërdrejt në fushë, e dyta nuk do të sulmojnë vendet e tjera dhe do të respektonin “vijat e kuqe”.

Edhe ukrainasit, pas pushtimit, hynë në një marrëveshje të pashkruar me Uashingtonin, duke pranuar kufijtë e vendosur nga administrata Biden për sulmet e drejtpërdrejta ndaj Rusisë në këmbim të armëve dhe informacioneve të vlefshme të inteligjencës.

Pavarësisht disa goditjeve përtej kufirit, marrëveshja vazhdoi deri në sulmin e 26 shtatorit në tubacionin e gazit Nord Stream, në të cilin ukrainasit gjithmonë kanë mohuar çdo përfshirje.

Megjithatë, që atëherë, me rezistencën gjithnjë e më të bindur se mund ta fitojë luftën, goditjet janë shumëfishuar: sulmi në urën e Kerçit në tetor, ato në bazën Engels në dhjetor, dronët në çatinë e Kremlinit në maj.

Ndërkohë Burns u kthye në Kiev, mori planet e Zelenskit për kundërsulm dhe përsëriti nevojën për të ruajtur stabilitetin strategjik, duke shmangur sulmet në Rusi.

Kërkesa, sipas Uashingtonit, ka pasur pak sukses, duke qenë se sulmet dhe sabotimet kanë vazhduar, duke krijuar komplikime që mund të bëhen “katastrofike”.

Megjithatë, vuri në dukje një zyrtar anonim polak, është e pamundur që Kievi të respektojë atë marrëveshje të pashkruar.

“CIA, – shpjegon ai, – nuk e kupton natyrën e shtetit ukrainas dhe numrin e fraksioneve që ekzistojnë atje”.

*Corriere della Sera