Sport Rrezikon dy vjet burg/ Alibia e dobët e Neymar në gjyq: Firmosja...

Rrezikon dy vjet burg/ Alibia e dobët e Neymar në gjyq: Firmosja atë që më thoshte babai

Neymar duke lënë gjykatën në Barcelonë në ditën e parë të gjyqit për parregullsitë e transferimit të tij te Barcelona një dekadë më parë

“Unë gjithmonë firmosja atë që babai më thoshte të firmosja”. Kjo është alibia e yllit Neymar në gjyq. Një alibi e dobët sipas mediave ndërkombëtare. 30-vjecari i PSG është në gjyq në Barcelonë i akuzuar për parregullsi të dyshuar në lidhje me transferimin e tij në vitin 2013 nga Santos te Barça.

“Babai im ka qenë gjithmonë në krye të negociatave kontraktuale. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të luaja për Barcelonën. Mund të shkoja te Real, por gjithmonë kam dashur Barçën”, siguroi lojtari.

Braziliani i PSG është pyetur nga prokurori mbi akuzën për korrupsion, për të cilën kërkohen dy vjet burgim dhe 10 milionë euro gjobë.

Gjithçka nis me ankesën për korrupsion dhe mashtrim nga fondi brazilian DIS. Ata, në atë kohë, ishin pronarë të 40% të kartonit të lojtarit. DIS besojnë se çmimi i transferimit të Neymar ka qenë shumë më i lartë se u deklarua. Si pasojë ata kanë përfituar më pak nga sa kishin të drejtë.

Në gjyq janë edhe dy ish-presidentët e Barcelonës, Sandro Rosell (i cili rrezikon dënimin me 5 vjet) dhe Josep Maria Bartomeu.

Neymar, i cili zyrtarisht shkoi nga Santos te Barça për 57.1 milionë euro (nga të cilat 40 shkuan për familjen e lojtarit dhe 40% e 17.1 të mbetur për DIS), i ka mohuar gjithmonë akuzat.

Por, pasi humbi në 2017 një apel ndaj Gjykatës së Lartë spanjolle, u detyrua të shkonte në gjyq. DIS ka deklaruar se do të kërkojë 5 vite burg për Neymar, gjithashtu ndalimin e Rosell dhe Bartomeu si dhe dëmshpërblim prej 149 milionë eurosh. Nga ana tjetër, prokurorët spanjollë duken të orientuar në kërkesën për dy vite burg për lojtarin. O’Ney do të gjobitej në këtë rast edhe me 10 milionë euro.