Kosova Rrugëtimi i Vjosa Osmanit: Si hyri në politikë kandidatja për kryeministre nga...

Rrugëtimi i Vjosa Osmanit: Si hyri në politikë kandidatja për kryeministre nga LDK

Vjosa Osmani hyri në skenën politike 10 vite më parë, duke patur si start një akt simbolik që u mbajt mend gjatë.

Ajo  shkaktoi simpati qysh në daljen e parë publike, pasi në një formë kurajoze korrigjoi publikisht Thaçin në një gafë epike.

Ishte korriku i vitit 2008 kur presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi po bënin një vizitë zyrtare në Uashington.

Qeveria e Kosovës ishte e re, ashtu si qeveria e re amerikane e udhëhequr nga Barak Obama.

Dhe aty krisi gazi kur Thaçi e ngatërroi sekretaren e shtetit Hillary Clinton me ish-sekretaren Madeline Albright.

Vjosa Osmani, që ishte në pozitën e përkthyeses, e njëkohësisht shefe e kabinetit të presidentit Sejdiu, e përmirësoi në anglisht gabimin e Thaçit, duke provokuar të qeshura në sallë.

Nga ai moment, Vjosa hyri në mendjen e të gjithëve si gruaja e re e vëmendshme. Por shumë shpejt, ajo u bë më e zëshme se zakonisht; korrigjimin e Thaçit e vijoi politikisht.

Ajo hyri në politikë me idenë se qëndrimet e tij janë të dëmshme dhe duhen korrigjuar.

Vjosa ishte ndër gratë më të votuara në Kosovë, duke marrë mandatin e deputetes për tre herë radhazi. Beteja e saj nuk ishte vetëm përballë oponentëve politikë. Ajo u përball me sfida edhe brenda partisë së saj, LDK.

E rritur me një frymë rugoviane, Osmani s’kishte si të mendonte ndryshe. Ajo i qëndronte besnike mendimit se pjesëmarrja në UÇK jo domosdoshmërish duhet të shërbejë si mundësi për dominim politik, siç po ndodhte me PDK-në.

Ndërsa marrëdhëniet e saj me lidershipin e LKD-së së kanë qenë të turbullta. Madje, në fjalimin e tij inaugurues në Kuvend, ish-kryeministri Isa Mustafa kritikoi Osmanin që votoi kundër formimit të koalicionit qeverisës me PDK-në.

Osmani ka qenë në veçanti kritikuese ndaj elementit të marrëveshjes që e bëri ish-liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, president të Kosovës në vitin 2016. Kështu, ajo e bojkotoi Kuvendin në ditën e votimit.

Vjosa Osmani është shfaqur mjaft e guximshme në kundërshtimin e politikave që ajo i quante “autoritare” duke thënë se nuk është veçori tipike e demokracisë që të shuhen mendimet ndryshe.

Në saj të mendimit ndryshe, ajo mbeti jashtë strukturave udhëheqëse në parti, ndonëse ishte personi i tretë me më shumë vota brenda LDK-së.

Përjashtimi i saj ndodhi gjatë viteve 2014-2017, periudhë që ajo e shfrytëzoi për të formësuar edhe më tej profilin prej një gruaje që nuk ka frikë të kundërshtojë liderët shumëvjeçarë.

Profili i saj politik u theksua edhe më tepër në zgjedhjet e fundit, kur ishte gruaja më e votuar, me më tepër se 60.000 vota.

Zonja Osmani është juriste me profesion. Ajo ka lindur në Mitrovicë, dhe studimet post-diplomike i ka mbaruar në SHBA.

Pas formimit profesional, Osmani udhëhoqi ekipin kosovar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Fitorja e Kosovës duke dalë e pastër në GJND ishte një pikë e parë e sukseseve të Osmanit.

Zgjedhjet e 6 tetorit, të cilat po konsiderohen si më të rëndësishmet që pas shpalljes së pavarësisë, si për shumë kë do të jenë determinuese edhe për të.

Me një dosje të pastër dhe pa asnjë aferë korruptive, shumë përdorues të mediave sociale po e konsiderojnë atë si “zgjidhje ideale” për Kosovën. Madje nëpër rrjete po qarkullojnë edhe hashtagë mbështetës për të, duke e quajtur “Merkeli i Kosovës”.

Duke nisur nga sfida e dialogut me Serbinë e deri te liberalizimi i vizave, problemet që do të rëndonin mbi supet e Osmanit do të ishin të rënda.

Nëse ajo triumfon në zgjedhjet e 6 tetorit, atëherë do të bëj historinë si gruaja me postin më të lartë ekzekutiv në vend.