Bota Rusët bombardojnë teatrin në Mariupol, brenda ndodheshin me qindra persona

Rusët bombardojnë teatrin në Mariupol, brenda ndodheshin me qindra persona

Forcat ruse bombarduan këtë të mërkurë një teatër brenda të cilit ndodheshin me qindra persona. Sulmi ndodhi në qytetin e rrethuar të Mariupol dhe u konfirmua nga nënkryetari i bashkisë së qytetit port, i cili vijon të jetë nën terrorin e sulmeve të vazhdueshme ruse.

Sipas BBC, Serhiy Orlov tha se brenda ndërtesës ishin të strehuar rreth 1200 persona. Numri i viktimave deri më tani nuk dihet.

Mariupol është i rrethuar prej forcave ruse dhe rreth 300 mijë persona mbeten të izoluar pa ujë, pa drita apo gaz. Ushqimet dhe medikamentet janë drejt fundit dhe Rusia nuk ka lejuar dërgimin e ndihmave humanitare.

Që prej nisjes së luftës, qyteti ka qenë nën bombardimin e vazhdueshëm rus. Me lagje të tëra janë shndërruar në djerrina. Javën e shkuar, sulmi në një spital fëmijësh dhe maternitet i mori jetën 5 personave.

Orlov tha se Rusia sulmoi po ashtu një autokolonë civilësh të cilët ishin larguar nga Mariupol drejt qytetit të Zaporizhzhia, duke plagosur 5 civilë, përfshirë një fëmijë.