Aktualitet Saimir Tahiri transferohet në burgun e Lushnjës

Saimir Tahiri transferohet në burgun e Lushnjës

Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili vuan dënimin me burg prej 3 vitesh e 4 muajsh, është duke u transferuar nga burgu i Fierit në atë të Lushnjës. Transferimi kryhet pas kërkesës së familjarëve të tij.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me 3 vjet e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm, për shpërdorim detyre. Gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me ndryshim, moszbatimin e shërbimit të provës. Në qershor, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e tij për pezullimin e dënimit me burg.

Në prill të këtij viti, Tahiri kërkoi lirimin nga burgu i Fierit pasi sipas tij vendimi i Apelit është marrë në kundërshtim me ligjin. Në rekursin e bërë nëpërmjet avokatit të tij në gjykatën e lartë Saimir Tahiri shprehet se Gjykata nuk ka vepruar drejt sepse e ka dënuar jashtë kompetencave te saj”. Sipas ish-ministrit të Brendshëm dhe mbrojtësit të tij Tahirit i rrezikohet jeta, ndërsa familja e tij është ekspozuar ndaj eksponentëve të krimit.