Bota Serbia dhe Maqedonia e Veriut ndryshe nga Shqipëria: Heqim dorë nga akciza,...

Serbia dhe Maqedonia e Veriut ndryshe nga Shqipëria: Heqim dorë nga akciza, të ndihmojmë qytetarët

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç njoftoi se shteti po ndërhyn për të mbrojtur qytetarët dhe për të shmangur rritjen e çmimit të karburantit.

“Shteti po investon 100 milionë euro për t’i mbushur rezervat e karburantit plot. Ne kemi më shumë se sa duhet, është vetëm çështje çmimi, prandaj vendosëm të heqim dorë nga 20 për qind e akcizës për karburantet dhe kjo na kushton 35 milionë euro në muaj”, tha Presidenti serb.

Vuçiç rikujtoi se Serbia nuk ka pasur asnjëherë probleme me furnizimin me energji elektrike dhe gaz, gjatë muajve të fundit dhe se çmimet janë ndër më të lirat në të gjithë Europën. 1 litër naftë në Serbi është tregtuar sot me 1,5 euro.

Nëse i njëjti vendim do të merrej edhe nga qeveria shqiptare, çmimi i naftës do të ulej me të paktën 37 lekë për litër.

Edhe Maqedonia e Veriut ka propozuar një sërë masash për të zbutur krizën e rritjes së çmimeve të naftës dhe ushqimeve. Qeveria maqedonase ka hequr TVSH-në për produktet bazë ushqimore, ndërsa rreth 35 mijë qytetarë nga kategoritë më të rrezikuara do të marrin kupon prej 1000 denarë në tre muajt e ardhshëm për të blerë produkte. E gjithë pakoja e masave do të kushtojë 400 milionë euro.

Qeveria maqedonase ka propozuar gjithashtu uljen e akcizës për karburantet dhe TVSH-në nga 18 në pesë për qind. Sipas mediave vendase kjo masë ul pjesën që qytetarët e paguajnë për çdo litër benzinë që shkonte në buxhet.

“Nafta në vend të 85,5 denarë do të zvogëlohet për 10,5 denarë dhe do të jetë 75 denarë, benzina në vend të 91,5 denarë do të zvogëlohet për 11,5 denarë dhe do të jetë 80 denarë. Po ulim normën e TVSH-së nga 18 në 10 për qind për naftën, benzinën pa plumb, gazin, gazin e lëngshëm dhe metanin”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Masat propozohen pas rritjes rekord të çmimeve të derivateve të naftës për gati 10.2 për qind. Por që këto ndryshime të hyjnë në fuqi, duhet të marrin dritën jeshile nga deputetët në Kuvend.

Shteti do ta zgjasë edhe aplikimin e taksës mjedisore e cila parashihte që çdo litër karburant të paguhet 3,5 denarë shtesë për mjedisin. Kovaçevski u bëri thirrje deputetëve që të votojnë ndryshimet e propozuara sa më shpejt të jetë e mundur.

Pavarësisht ndërhyrjes në karburante, Qeveria nuk do të rrisë TVSH-në për energjinë elektrike dhe do të mbetet 5 për qind deri në fund të vitit, në vend që të rritet në 10 për qind në qershor siç ishte planifikuar fillimisht.