Aktualitet Shina treni në shasinë e furgonit, detaje nga organizimi i grabitjes në...

Shina treni në shasinë e furgonit, detaje nga organizimi i grabitjes në Rinas

8 persona kanë marrë pjesë në grabitjen e aeroportit të Rinasit ndërsa përdorën një automjet të modifikuar në shasi në rast se do të hasnin probleme në hapjen e dyerve që rrethojnë perimetrin e sigurisë.

Burime pranë policisë thanë se në grabitjen spektakolare dyshohet se janë angazhuar 8 persona të cilët kanë luajtur rol në vëzhgim por edhe në djegien e dy automjeteve të tjera, njëri prej të cilëve u bë për të shpërqendruar ndjekjen e policisë.

Nga të dhënat e mbledhura nga grupi hetimor mësohet se automjeti i loguar me “Hetimi Tatimor” në të vërtetë nuk është një makinë tip Volkswagen por një Ford i modifikuar. Në pjesën e shasisë, sipas ekspertizës, ishte vendosur një shinë treni e cila ka ndihmuar në heqjen e bllokut të betonit në hyrje të Rinasit, por edhe në dalje në hapjen e portës së emergjencës.

Për sa i përket vendngjarjes, ku u bë dhe shkëmbimi i zjarrit, hetuesit thanë se makina ka qenë e spërkatur me benzinë dhe Admir Murataj mbante në dorë një shkop të mbështjellë me sfungjer për t’i vënë flakën. Dyshimet janë hequr dhe për njërin prej grabitësve i cili u përfol se mund të ishte plagosur. Në vendngjarje policia ka gjetur gjurmë gjaku por pas analizave rezultuan se ishin të njëjtat me 47-vjeçarin i cili mbeti i vrarë.

Automjeti i djegur në Bathore ka luajtur rol kyç për shpërqendrimin e policisë. Nga pamjet e kamerave të sigurisë para se të ndodhte grabitja rezulton se furgoni tjetër kishte disa javë që qëndronte i parkuar në zonë. Djegia e tij ka tërhequr vëmendjen e policisë dhe fillimisht të gjitha kontrollet u kryen aty në një kohë që furgoni tip Benz me grabitësit dhe paratë u dogj në një nga tunelet e fshatit Dritas.