Aktualitet Shkarkohet gjyqtari i Apelit, nuk justifikoi dot pasurinë

Shkarkohet gjyqtari i Apelit, nuk justifikoi dot pasurinë

Një tjetër gjyqtar ka ngecur në rrjetën e vetingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të hënën një vendimin negativ për gjyqtarin e Apelit Durrës, Arjan Balliu, pas procesit të rivlerësimit kalimtarë, i njohur gjerësisht si vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Procesi i rivlerësimit të gjyqtarit Balliut, u shënua nga një raport negativ i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, i cili u gjet i bazuar në pjesën më të madhe edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Gjyqtarit iu vu në dukje se ILDKPKI e kishte gjetur atë në dy raste konflikti interesi, po ashtu për disa pasuri të tij ishin konstatuar fshehje dhe mosdeklarime, ndërsa në disa raste edhe deklarimi i rremë në deklaratat vjetore ose atë për llogari të vetingut. Relatori tha se gjetjet e Inspektoratit kishin qëndruar edhe gjatë hetimit të Komisionit. Ilia vuri në dukje se nga analiza financiare Balliu kishte rezultuar me bilanc negativ prej 11.7 milion lekësh.

Gjatë relatimit po ashtu u përmendën gjetje që kishin të bënin me bashkëshorten e subjektit Rezarta Balliu (Vigani), po ashtu gjyqtare. KPK vuri në dukje mosdeklarimin nga ajo e një apartamenti të blerë nga Balliu në kohën kur ishte avokat në vitin 2007.

Balliu kundërshtoi në seancë edhe gjetjet që dukej se ngarkonin bashkëshorten e tij me probleme. Në përfundim të seancës u vendos që gjyqtari të shkarkohet nga detyra.