Politika Shkatërrimi i selisë së PS-së, Balla: Sulmi i porositur nga Tirana, ja...

Shkatërrimi i selisë së PS-së, Balla: Sulmi i porositur nga Tirana, ja kush po i rekruton minorenët

Pas shkatërrimit nga ana e protestuesve paraditen e sotme të selisë së PS në Shkodër, deputeti Ilir Beqaj dhe numri dy i PS, Taulant Balla, nga qyteti i Shkodrës kanë mbajtur një deklaratë për shtyp.

Balla ka akuzuar PD-në dhe LSI-në për këto protesta të dhunshme, për të cilat thotë se janë porositur nga Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha.

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, në komunikimin me mediat atje tha se opozita po shfrytëzon një ngjarje të rëndë, një krim të një polici i cili për këtë krim është në proces.

“Jam i bindur se çfarë ndodhi sot nuk është vepër e shkodranëve, pasi shkdoranët janë simbol i demokracisë. Ka ardhur nga PD që po e përdor Shkodrën për qëllime të ndyra politike dhe me ta është edhe Ilir Meta. Sulmi është një sulm i porositur nga Tirana dhe ka për autor Sali Berishën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe për fat të keq edhe Lulzim Bashën që s’ka mundësi të ndërhyjë në këtë urdhër. Nuk jemi sot për të parë selinë e dëmtuar të PS-së, sepse PS nuk është një seli, është forca më e madhe politike në Shqipëri, dhe nuk ka dyshim që do të fitojmë në 25 prill.

Këtu jemi për të denoncuar këtë skenar dhune që nisi duke vjedhur një protestë paqësore për një humbje jete. Ne socialistët i shprehim ngushëllimet tona familjes sepse një punonjës nuk përfaqëson Policinë e Shtetit, i cili po ndëshkohet për krimin që ka bërë. Ky është standardi dhe krahasimi ynë me ata. Në 2011 nuk zbatohej urdhri i prokurorisë për të arrestuar ata që kishin kryer vrasjet”, tha Balla.

Ai akuzoi kryetaren e LSI-së si rekrutuese të minorenëve.

“Monika Kryemadhi është rekrutuese e minorenëve, i bëj thirrje të heqi dorë dhe prindërve që të mos i lejojnë. Prokuroria ka bërë verifikimet dhe ne nxisim t’i shkojnë deri në fund. Kjo protestë është iniciuar nga PD dhe LSI në Shkodër dhe nga Voltana Ademi”, tha Balla.