Sport Shqipëria e nis mbarë Ligën e Kombeve, merr 3 pikët në Bjellorusi

Shqipëria e nis mbarë Ligën e Kombeve, merr 3 pikët në Bjellorusi

Shqipëria e ka nisur në mënyrën e duhur këtë edicion të Ligës së Kombeve, duke marrë një fitore të pastër 0-2 në Bjellorusi.

Skuadra e drejtuar nga italiani Reja dominoi takimin, duke qenë thuajse gjatë gjithë kohës superiore ndaj kundërshtarit.

Takimi nisi me Shqipërinë në sulm, e cila brenda 5 minutave të para pretendoi për 2 penallti, por arbitri hezitoi t’i akordojë. Fillimisht ishte një pengim brenda zonës, ndërsa më pas një prekje e topit me dorë nga mbrojtësi i Bjellorusisë.

Shqipëria vazhdoi me kontrollin e lojës, por rastet ishin të vakëta deri në momentin e golin nga Cikalleshi. Edhe minutat e mbetura në pjesën e parë ishin në favor të kombëtares kuqezi, por goli i dytë dhe i sigurisë nuk erdhi.

Në pjesën e dytë, vendasit e ndryshuan thuajse tërësisht lojën, duke qenë më kërkues, megjithatë e patën të pamundur të çajnë mbrojtjen e hekurt kuqezi.

Kur Bjellorusia ishte hedhur në sulm, në minutën e 79, Keidi Bare realizoi edhe golin e sigurisë, pas një asisti të dhënë nga Odise Roshi, i aktivizuar në pjesën e dytë.

Skuadra e Reja-s kontrolloi minutat e mbetura, duke siguruar kështu 3 pikë që në ndeshjen e parë të këtij edicioni në Ligën e Kombeve.