Bota Shtimi i rasteve në Kosovë, ekspertët: Përshëndetuni me zemër, jo me duar

Shtimi i rasteve në Kosovë, ekspertët: Përshëndetuni me zemër, jo me duar

Rihapja e vendit ka rritur ndjeshëm numrin e të infektuarve me Covid-19 në Kosovë. Në 24 orët e fundit u raportuan 53 raste të reja, 5 më pak se një ditë më parë, por shifra mbetet e lartë. Vushtria dhe Prishtina shënuan numrin më të madh të rasteve të reja.

Në total, që prej shpërthimit të virusit pandemik, në Kosovë janë prekur mbi 1400 persona nga Covid-19. Nga këta, 928 janë shëruar. Ndërsa viktimat janë 32, të cilët kanë pasur dhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Instituti i Shëndetit Publik po monitoron të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve, duke i detyruar të qëndrojnë në vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma.

Ndërkohë, pas shtimit të rasteve me Covid-19, ka reaguar edhe infektologu Valbon Krashini. Ai, përmes Facebook-ut, ka dhënë një mesazh të shkurtër, por të qartë, duke kërkuar nga qytetarët që të mos shtrëngojnë duart dhe të mbajnë maskat.

“Përshëndetuni me zemër, JO me duar”, shkruan ai.