Kryesore Si u zbulua afera 25 milionë euro, 9 zyrtarë të Ministrisë së...

Si u zbulua afera 25 milionë euro, 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në prangat e SPAK

Ish-ministri i Brendshem, Sander Lleshaj gjate nje takimi me efektive te Policise se Shtetit

Pa u shuar ende jehona e arrestimeve në Bashkinë Lushnje, ku ra në pranga edhe kryebashkiaku Fatos Tushe, SPAK çon prapa hekurave edhe 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për një abuzim tjetër me tenderat.

Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë rreth 25 milionë euro. Me vendim gjykate janë kryer kontrolle në banesat e të arrestuarve. Mësohet se për zbardhjen e aferës ka pasur edhe bashkëpunëtorë të drejtësisë nga brenda Ministrisë së Brendshme.

Të arrestuarit dhe akuzat

Me urdhër të SPAK është vënë në pranga ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila vetëm dy javë më parë u shkarkua nga kjo detyrë me urdhër të ministrit Bledi Çuçi.

Të arrestuarit e tjerë janë anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj.

Në arrest shtëpie është lënë Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit. Ata akuzohen për “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Si nisën hetimet

Çështja mbërriti në SPAK rreth një vit më parë pas denoncimit të deputetëve Myslim Murrizi dhe Valter Haliti. Asokohe ata gjatë një prononcimi për mediat, Murrizi deklaroi se ky tender i është dhënë një kompanie gërmimesh, e cila nuk ka lidhje me rrobaqepësinë. Kur SPAK u vu në lëvizje për rreth një vit hetime, konstatoi se janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, të bërë nga anëtarët e Njësisë së Prokurimit ku si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Denoncimi

Në gusht të vitit të kaluar, deputetët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kallëzuan në SPAK dy ministra dhe katër zyrtarë përgjegjës për tenderë publikë bashkë me dy kompani private. Denoncimi kishte të bënte me shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe lidhjen me tenderin prej 25 milionë euro për sigurimin me 4 vjet me uniforma të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Në kallëzimin e depozituar në SPAK, deputetët e opozitës parlamentare akuzonin ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ish-drejtuesen e Drejtorisë së Blerjeve të Përqendruara (ABP), Edlira Naqellarin, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) Kreshnik Bejkaj, Mariglen Bazali dhe Fatmir Derhemi dhe kompanitë “Marsi &Al” dhe D&E shpk, se krijuan kushtet për të paracaktuar fituesin e tenderit.

Tenderi në fjalë qe njoftuar në korrik të vitit 2019 dheu shty dhe ndryshua disa herë, fillimisht në gusht 2019, më pas në tetor e nëntor. Afati i dorëzimit të dokumenteve u shty gjithashtu deri në maj 2020. Ndërkohë fituesi u shpall online më 14 korrik 2020.

Deputetët e opozitës pretendojnë se oferta prej 500 milionë lekë më pak (ose 4 milionë euro) e kompanisë turke Genç Taahut Giyim Tekstil u skualifikua qëllimisht për t’ia dhënë tenderin kompanisë D&E sh.p.k, e cila konkurroi bashkë me kompaninë turke Yakupoglu Tekstil.

Ata ngritën dyshime tek ndryshimi i specifikimeve teknike që ndodhën në periudhën korrik 2019–maj 2020 dhe gjithashtu te reduktimi i sasisë nga 726 mijë në 486 mijë copë, por pa ndryshuar fondin limit, që mbeti po 25 milionë euro.

Gjithashtu pretendime për ndikim në paracaktimin e fituesit thuhet të ketë dhënë edhe kompania Marsi&Al sh.p.k, e cila nuk mori pjesë në garë, por që sipas deputetëve të opozitës dokumentet e saj i përdori D&E sh.p.k.

Dyshim i arsyeshëm për të pretenduar lidhje mes dy kompanive për deputetët kallëzues është bërë deklarimi i të njëjtit numër telefoni nga të dy kompanitë në autoritetet tatimore.