Sport Sormani: Partizanin e gjeta në depresion, do t’ju bëj të ndryshoni mendim

Sormani: Partizanin e gjeta në depresion, do t’ju bëj të ndryshoni mendim

Ka kaluar më shumë se gjysma e kampionatit dhe Adolfo Sormani sheh si “aleat” kohën për të parë Partizanin e tij. Madje edhe në eliminimin e turpshëm të 16 herë kampionëve nga Besëlidhja ka parë gjëra pozitive. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Laçin, italiani tha se e gjeti skuadrën në depresion, por sipas tij, gjërat po ndryshojnë.

“Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë nuk është një lajm aspak pozitiv. Megjithatë, nuk jam dakord që skuadra është në një moment të vështirë. I respektoj opinionet, por shoh nga një kënd ndryshe. Partizani është gjithmonë në rritje. Në tri ndeshjet e fundit kemi marrë 2 goditje në portë, ndaj mendoj se skuadra është në rrugën e duhur. Entuziazmi është i madh brenda grupit, e shoh dita-ditës. Po punohet shumë, lojtarët janë të ndërgjegjshëm dhe japin maksimumin në seancat stërvitore.”

Gjendja para transfertës me Laçin: “Të gjitha ndeshjet janë të vështira, për asnjë moment nuk kemi nënvlerësuar asnjërën prej tyre. Kam dëgjuar ankesa pse nuk kam aktivizuar disa prej titullarëve në ndeshjen e kthimit ndaj Besëlidhjes. Është thënë se e kemi nënvlerësuar këtë kundërshtar, por isha i detyruar. Kemi pasur probleme me lojtarët. Bardhi dhe Belica kanë qenë me temperaturë. Melo me Trashin nuk kanë qenë në kondicionin e duhur fizik, si rezultat i ndeshjes ndaj Flamurtarit. Çdo ndeshje unë e përgatis sikur të jetë finale. E dimë që na pret një ndeshje shumë e vështirë nesër, ndaj një kundërshtari shumë agresiv. Jemi përgatitur edhe psikologjikisht, pasi e dimë mjaft mirë se çfarë na pret në Laç. Bardhi i është bashkuar me grupin gjatë seancës së djeshme, Belica ka dhënë shenja përmirësimi. Momentalisht që flasim, të gjithë lojtarët i kam në dispozicion”.

Sulmuesit nuk shënojnë: “Golat ndaj Besëlidhjes i shënoi një mesfushor, si Telushi. Sidoqoftë, unë e shikoj futbollin ndryshe, nuk më intereson kush shënon. Në tri ndeshjet e fundit kemi shënuar 8 gola. Ne sulmojmë si skuadër. Më intereson raste na shfaqen para portës kundërshtare. Skuadra po krijon mundësi, duhet të sulmojë e të mbrojë e tëra. Partizani është gjithmonë në rritje, shoh që sulmuesit lëvizin edhe pa top. Nuk më intereson nëse Trashi bën gol apo jo. Unë do të kënaqesha nëse Bardhi do të arrinte të gjente rrugën e golit, për vetë punën e madhe që po bën në skuadër, sikurse edhe Brown e Solomon. Kur punon shumë, derdh shumë djersë në stërvitje, edhe rezultatet do të vijnë. Çinari nuk po shënon? Çfarë të bëjmë. Na vjen keq, por po vrapon shumë, sakrifikon për skuadrën. Rëndësi ka që të fitojë skuadra, mund të shënojë gola edhe Hoxha”.

Aspekti psikologjik: “Ju patë një skuadër që luajti me pak agresivitet, intensitet dhe vendosmëri? Jo, mua nuk më duket ashtu, Partizani dha gjithçka në ndeshjen e Kupës. Psikologjikisht jemi në moment të mirë për ta përballuar ndeshjen e radhës. Eliminimi nuk i pëlqen askujt, por nuk mund të thuhet që skuadra nuk zhvilloi një ndeshje të mirë. Lojtarët e rinj luajtën me guxim dhe shumë dëshirë”.

Distanca me kreun: “Partizani e ka nisur sezonin me probleme, ndryshe nuk do të isha këtu. Dikush ka tentuar të ironizojë sa i përket modulit apo sistemit tim të lojës. Unë nuk fshihem kurrë dhe marr gjithë përgjegjësitë. Nuk kam kritikuar kurrë ata që kanë punuar më parë. Kam thënë që skuadra nuk kishte aftësinë fizike për të luajtur futbollin që dua unë. Janë pikëpamje të ndryshme, siç janë edhe ata të trajnerëve të tjerë. Si për të gjithë gjërat në këtë jetë, koha është e nevojshme. Unë nuk shpik asgjë, thjesht punoj shumë. Nëse do të ndërtosh diçka, nevojitet koha e duhur. E vetmja gjë negative, që gjeta këtu, ishte ambienti depresiv. Skuadra nuk kishte entuziazëm, as dëshirë për të menduar pozitivisht. Kjo është gjëja më e keqe dhe unë po punoj ta ndryshoj këtë gjë”.