Opinione SPAK, s’duan, s’dinë apo s’duan t’ia dinë!

SPAK, s’duan, s’dinë apo s’duan t’ia dinë!

Lutfi Dervishi

Nga Lutfi Dervishi

Kur ke një strukturë të re, kur ke prokurorë që kanë kaluar vettingun, kur ke mbështetje të pakufishme financiare dhe diplomatike, normalisht që ke një pritshmëri të madhe nga prokurorët e SPAK. Dhe pritshmëria është profesionale. Pret që njerëz me integritet moral dhe profesional të bëjnë siç duhet punën e tyre.

Është e kuptueshme që në çështje politike, në çështje të mëdha presioni ndaj prokurorëve të jetë aq i madh sa të ndikojë në punën e tyre, por kur “banalitetin” e sheh në çështje të rëndomta pikëpyetjet sa vijnë dhe zmadhohen.

Një rast i ditëve të fundit:

SPAK e akuzon ish-shefin e policisë kriminale në Elbasan për korrupsion pasiv.

Ku është korrupsioni dhe çfarë ka bërë shefi?

Në kohën që ka qenë në detyrë, si shef, ka marrë një pistoletë TT si armë të një krimi dhe e ka vendosur poshtë serbatorit të një makine servisi, për t’ia lënë fajësinë Seit e Albert Manhasa, pronarë të servisit.

Policia arreston babë e bir. Gjashtë anëtarë të familjes shoqërohen në komisariat. Vetë kjo ngjarje është krim më vete. Është më shumë se alarmuese…! Kanë ndenjur në burg njerëz krimi i vetëm i te cilëve është se kanë qenë në punë e tyre!

Nëse prokurorët në SPAK do të bënte një kualifikim penal të veprës, atëherë do t’i referoheshin kreut IX të kodit penal (vepra penale kundër drejtësisë) dhe të paktën dy neneve të tij, për veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës dhe për kallëzim të rremë.

Për shërbimin që ka bërë ish shefi ka marrë nga interesuari i këtij manipulimi provash e vendngjarje (edhe ky në paraburgim nga SPAK) një autoveturë Mercedes Benz C300. Kjo është akuza. Pra korrupsion pasiv për një oficer policie?!!

Mesa duket SPAK mundohet pak, ose aspak, për një kualifikim penal adekuat të veprave penale edhe për një çështje të “rëndomtë”. Është shumë të kërkosh për çështje të tjera.

Dhe ky nuk është rast i vetëm.

Një djalë inxhinier arrestohet për një krim që ka bërë një call center. Krimi është konsumuar ara dy vitesh. Inxhinieri kishte vetëm dy muaj që kishte nisur punë aty?!! Dhe këtij inxhinieri i privohet liria për 4 muaj!

Është koha që vetë SPAK të shoh se çfarë ka hetuar? Me cilën çështje është krenar gjatë këtyre viteve? Çfarë duhet të bëj për të rritur besimin e lëkundur të publikut? Ku ka gabuar? Ku është (vet)përdorur?

Nga SPAK nuk pritet “dru me pre”, pritet cilësi, priten hetime shembullore, priten raste që shpjegojnë mekanizmin e së keqes, priten hetime ndaj njerëzve në pushtet. Pritet shumë sepse për ta është investuar shumë.