Kryesore Struktura Anti-KÇK, si do të funksionojë “prokuroria” speciale që mund të përgjojë...

Struktura Anti-KÇK, si do të funksionojë “prokuroria” speciale që mund të përgjojë këdo

Ligji Anti-KÇK do të gjejë zbatim në të gjitha rastet kur policia ka dyshime të arsyeshme për kryerje të një sërë veprash penale, që përfshijnë nga krimet e rënda, si vrasje, pengmarrje, vrasje e policëve, kanosje, shfrytëzim prostitucioni, vjedhje bankash, skema mashtruese piramidale, e deri tek mashtrimi në subvencione apo evazion fiskal.

Pjesë e fushës së veprimit të këtij ligji do të jenë edhe politikanët, zyrtarët e lartë, dhe ata që bëjnë korrupsion në zgjedhje, përmes nenit 328 “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe nenit  328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Në këtë draft përfshihet edhe pjesa për prokurorët dhe gjyqtarët në veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, “Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë“ dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë“.

Një parashikim i këtij projektligji është edhe ajo që në mungesë të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë i jep ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë kompetencë që më pas me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë të pezullojë dhe më pas hetojë gjyqtarë, ose prokurorë të dyshuar.

Trafikimi i drogës, i armëve, ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, importimi i ushqimeve të rrezikshme për shëndetin, kontrabandë, falsifikime, veprime për qëllime terroriste, kanosje, krijimi i turmave të armatosura, etj, janë disa nga veprat e tjera penale ku ky ligj do gjejë fushë zbatimi.

Subjekte të masave dhe procedurave të cilat parashikohen në këtë ligj do të jenë të gjithë ata për të cilët: “Subjektet juridike për të cilët ka dyshime se ndihmojnë, përfitojnë ose financojnë në veprimtarinë e krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizimit”, thuhet në nenin 5/f.

Paketa krijon një njësi hetimi nën Policinë e Shtetit, nën varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e cila do të ndahet në dy drejtori: Drejtoria e Antiterrorit dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar.

Kjo njësi do të ketë 12 drejtori rajonale të vendosura në 12 drejtoritë rajonale të policisë.

— Njësia do të hetojë çdo krim të parashikuar në kodin penal, nga vjedhja me armë, tek droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, korrupsioni i çdo zyrtari publik. Ajo do të hetojë edhe individët përfitues të buxhetit të shtetit, koncesione, PPP, subvencione, etj.

— Struktura do të ketë të drejtën të kufizojë lirinë e individit brenda një territorit të caktuar. Ky urdhër do të vlerësohet nga prokuroria dhe jo nga gjykata.

— Policia do të ketë të drejtën të urdhërojë marrjen e pasaportës dhe çdo mjeti tjetër të udhëtimit. Ky urdhër i komunikohet prokurorit, i cili e dërgon në gjykatë brenda 48 orëve.

— Struktura dhe BKH kanë të drejtë të nisim hetim pasuror për individët që dyshojnë se niveli i jetesës nuk mbulohet nga të ardhurat. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshorti, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.

— Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetëm me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart.

— Policia mund të marrë çdo informacion privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi, çdo gjë e dhënë tjetër nga subjektet private ose shtetërore, pa leje të prokurorit apo gjykatës.

— Policia mund të sekuestrojë provat e mbledhura në varësi të urdhërit të Prokurorit. Provat e mbledhura prej tyre do të përdoren sipas vlerësimit të prokurorit.

Vëzhgimet sekrete

Në nenin 38 të ligjit është vendosur një paragraf i veçantë për “vëzhgimet sekrete”. Në këtë nen parashikohet përdorimi i mjeteve optike, filmimeve, fotografimeve dhe pajisjeve të tjera teknike, të cilat do të përdoren me urdhrin e drejtorit të policisë vendore.

Në nenin 38 të projektligjit, për vëzhgimit sekrete, në pikën 1 thuhet: “Strukturat e Policisë së Shtetit kryejnë vëzhgime sekrete të subjekteve të veprave penale të parashikuara në këtë ligj, fizikisht dhe nëpërmjet përdorimit të mjeteve optike, filmime, fotografime e pajisje të tjera teknike.

Në pikën 2 të këtij neni thuhet se: “vëzhgimet sekrete autorizohen nga drejtuesi i strukturës vendore të policisë dhe strukturat qendrore të policisë kriminale”.

Përgjimet telefonike

Në nenin 33 të pr/ligjit, për përgjimet telefonike, parashikohet se policia do të kryejë përgjim parandalues të telekomunikimeve kur prej tyre administrohen indicie për kryerje të veprave penale që parashikohen në objektin e këtij ligji dhe autorizimi do të jepet nga drejtuesi i prokurorisë mbi bazën e kërkesës së bërë nga struktura e policisë.

“Të gjitha përgjimet duhet t’i përcillen Prokurorit i cili ka autorizuar veprimet e përgjimit dhe gëzon të drejtën e asgjësimit të tyre qoftë edhe pjesor.

Eksponentët e krimit, kontrolle të imtësishme në aeroport për çdo-hyrje dalje nga Shqipëria, perimetër lëvizjeje brenda qytetit

Ndaj eksponentëve të krimit të organizuar që do të jenë subjekt i Anti-KÇK-së do të merren një sërë masash personale parandaluese nga Policia e Shtetit. Neni 6 i draftit cakton se nëse do të dalin dhe kthehen në Shqipëri, do t’i nënshtrohen një verifikimi të hollësishëm nga Policia e Shtetit në pikën e kalimit kufitar. Këtyre personave mund t’i ndalohet edhe përdorimi i një sërë mjetesh, si radio, makina të blinduara apo programe kompjuterike për kriptimin e bisedave dhe mesazheve. Po ashtu, këtyre eksponentëve të krimit të organizuar do t’i ndalohet jo vetëm dalja jashtë shtetit kur është e nevojshme, por edhe tu caktohet një perimetër lëvizjeje brenda qytetit. Kjo do të thotë se do të ketë zona të caktuara ku këtyre personave nuk do u lejohet të shkelin edhe brenda qytetit të tyre të banimit.