Aktualitet Tahir Gashi, një ndër heronjtë e minierës së qymyrgurit të Memaliajt

Tahir Gashi, një ndër heronjtë e minierës së qymyrgurit të Memaliajt

Minatori Tahir Gashi, duke punuar në një nga ballet e fronteve të nëntokës së minierës së Memaliaj

Memaliaj, është vendi i heronjve të nëntokës dhe një prej tyre është edhe veterani, Tahir Gashi.

Veterani Tahir Gashi është lindur dhe rritur në Ferizaj të Kosovës. Ka filluar punë që në moshë të re, për të mbështetur familjen. Pas çlirimit të vendit shkon për të punuar në shumë miniera të vendit, duke e filluar nga ajo e Bulqizës dhe përfundon në minierën e qymyrgurit të Memaliajt, ku punon për një kohë shumë të gjatë, derisa del në pension.

Së bashku me bashkëshorten e tij, Etie, sjellë në jetë tetë fëmijë, tre vajza dhe pesë djem. emrat e të cilëve janë: Late, Afërdita, Isa, Avni, Naim, Gani, Suzana dhe Arben, të cilët janë linur dhe rritur të gjithë në Memaliaj.

Ajo që është e veçantë dhe i dedikoj këtë shkrim, është se në ndërtimin e qytetit tonë Memaliaj, që në fillimet e saj të para, ka dhënë kontributin e saj edhe familja kosovare Gashi. Edhe pse shumë i vogël, e shikoja me admirim xha Tahirin, sa herë që e shikoja dhe menjëherë parafytyroja vendndodhjen e Kosovës. Rastin e parë që e kam takuar dhe më ka përshëndetur, ka qenë kur janë takuar në rrugë me gjyshin tim, Demir Malka dhe aty më ka dhënë dorën sikur të isha burrë.

Për të shprehur më shumë për veteranin, Tahir Gashi, po sjell disa nga kujtimet dhe mendimet e disa bashkëqytetarëve, pasi shumë nga bashkëmoshatarët e tij, së bashku me xha Tahirin, kanë shumë vite që kanë ndërruar jetë.

Është elektricisti, Sulo Hodo, i cili shprehet: “Veterani Tahir Gashi është nga minatorët e vitit 1956, i cili e ka filluar punën që në Sektorin e I-rë të zonës qendrore, vazhdoi të punoi në Sektorin e III-të dhe sektorë të tjera, derisa e doli në pension. Nga eksperienca që kishte me minierat, bëri të mundur hapjen e një pusi ajrimi rreth 30 m thellësi, që shërbente për ajrimin e Sektorit të I-rë por edhe për dy zonat qymyrmbajtëse dhe me këtë, ishte dhe Nuri Kacorri. Unë u çoja ujë dhe bëhet fjalë për vitin 1962. Veterani, Tahir Gashi punonte shumë dhe kujdesej për mua, pasi isha i vogël dhe në atë kohë isha 16-17 vjeç, kur fillova të punoja si punëtor në repart të jashtëm. Kur mbusha moshën, fillova të punoja si elektricist, nëpër galeritë e nëntokës me elektricistin, Sherif Ismailati.”

Mjeshtri i Madh, Miho Gjini, në ditarin e tij të botuar me titullin “Dënimi në ferr”, që mbart kujtime nga koha kur ka kryer internimin me punë të detyruar, në minierën e Memaliajt, na sjell detaje me shumë interes për jetën punëtore të nëntokës së veteranit, Tahir Gashi. Për datën 6 nëntor të vitit 1976, ai shkruan: “Dikush nga shokët e punës më thirri të dilja s’andejmi se ishte e rrezikshme, por mua nuk më bënte asnjë përshtypje.

-Deshe e pësove si Tahir Gashi për pak! – do më thoshte shoku që më pat thirrur aty për aty.

Unë fshija djersët me cepin e xhaketës. Por përmendja e emerit të kosovarit Tahir Gashi, më zgjoi rishtas një dëshpërim të madh që më kaplonte sa herë e kujtoja atë burrë të mirë. Siç më patën treguar, Tahiri kishte hyrë para ca ditësh të ndihmonte shokët tanë në sektorin IV, në çarmatosjen e galerisë para se ajo të betonohej, por u zbulua befas nga dheu, trarët dhe gurët. Mirëpo, për fat e panë shpejt se ç’i ndodhi dhe e nxorën nga “murosja” së gjalli me këmbën e thyer në dy vende. E hipën në një vagon për ta nxjerr nga galeria, ndërsa burrit nga kosova nuk iu dëgjua zëri. Dhimbjen e kapërdinte brenda, thellë në shpirt dhe nuk e jepte veten. Jashtë, aty ku qenë mbledhur të tërë.”

Thanas Hoda:Kush nuk e ka njohur veteranin e minierës, Tahir Gashi, atë njeri me virtyte të larta njerëzore! Qyteti ynë Memaliaj, ishte jo vetëm një minierë që nxirrte qymyrguri por edhe një “minierë” që rriste ata njerëz punëtorë që ishin heronj të vërtetë të punës! I tillë ishte edhe Tahir Gashi: i qeshur, gazmor, i fjalës e i besës, i drejtë, i palodhur, i ëmbël dhe gëzonte respektin e bashkëqytetarëve! Iu preftë shpirti i qetë në Parajsë!”

Shaban Qibini:Kur ishte në pension i paharruari, Tahir Gashi, e caktuan të punonte në ditë aksioni, në Sektorin Selaj, në turnin tim. Jo vetëm që punoi, por e bëri punën më mirë se djemtë e rinj. Ishte i papërtuar dhe një hero i heshtur.”

Neki Mura:Më kujtohet ky njeri i palodhur, i cili ka punuar në frontet më të vështira. Mbaj mend, kur e thirrën njëherë në zyrat e Sektorit IV në 250-n dhe i thanë se është bllokuar një nga frontet e galerive të nëntokës. Tahiri futet dhe e zhbllokon i vetëm për 8 orë dhe kur ka dalë, kullonte ujë e baltë”.

Aleksandër Gjosha: “I paharruar kujtimi i heroit të minierave, Tahir Gashi, i cili ishte i sakrificave, i vështirësive dhe i papërtuar.”

Kalemi Remzi:Respekt për njeriun e punës, por mbi të gjitha, për zemrën e tij të bardhë që kishte. Me është dhënë mundësia të punoja për pak kohë në minierë me ketë veteran. Më kujtohet si tani përkushtimi i tij, për ne që ishim stazhierë.”

Bashkim Durmishi:Tahir Gashi, mbahet mend si një ndër minatorët më shembullorë të minierës së qymyrgurit të Memaliajt dhe për një specialist profesionist. Të gjithë ata që e kanë njohur, zgjojnë kujtesën e tyre dhe u vjen ndërmend, njeriu punëtor, pafjalë që në të gjitha avarit, ishte në ballë të tyre.”

Sejmen Gjokoli: “Sa kujtime e nostalgji më sjell ky emër. Hyn ndër emrat që nuk ka rëndësi sektori ku ka punuar, por puna që kanë bërë, e ka koleksionuar ndër emrat më të mëdhenj dhe më të veçantët të esaj. Kam patur fatin të punoj me të dhe ta njoh nga afër këtë njeri, i cili ka mbetur i jashtëzakonshëm në mendjen time! Frika e paniku në nëntokë, ishte për të tjerë, por Tahir Gashi, nuk njihte as njërën e as tjetrën!

Siç nuk njihte përtesën, lodhjen, vështirësinë, të pa mundurën”.

Mjeshtër i vërtetë në përdorimin e pistolit, ku në duart e tij vërtitej si lodër fëmijësh dhe sa herë e i duhej të punonte më këtë pajisje, i nxirrte binanë. Usta i madh në hapjen e çeliqeve, rrugëve të kalimit të minatorëve nëpër llava dhe një mjeshtër i zoti dhe i guximshëm në zhbllokimin e tyre. Përherë ka qenë dhe mbetet një shembull frymëzues, jo vetëm për më të rinjtë, por edhe për brezat në vazhdim, në jetë e në punë.

Tahir Gashi, siç thashë në fillim, mbetet ndër emrat e shquar të Minierës së Memaliajt dhe i denjë për tu nderuar e referuar edhe në përjetësi…”

Tomor Xhani: “Tahir Gashi, një “shqiponjë” e vërtetë e nëntokës!

Kush ka punuar me të, tregojnë s’e ishte  një minator i jashtëzakonshëm, me një  fuqi dhe guxim të paparë, e lindur për punët e nëntokës! Xha Tahiri me bashkëshorten e tij, me origjinë nga Kosova,  edukoi fëmijë me sakrifica dhe dolën të denjtë, duke u përshtatur dhe gëzojnë respekt të veçantë në Memaliaj.

Qoftë i paharruar kujtimi i Tahirit, një nga simbolet e figurës heroike të minatorit!”

Bashkim Llakaj: “Duke e njohur nga afër dhe punuar me Tahirin, shpreh e them me plotë gojën: ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me zemër të madhe dhe një luan i vërtetë i minierave.”

Luan Zilfo:Me minatorin, Tahir Gashi, pati fatin të punoja vagonist afërsisht dy vjet (1863-1965), në Sektorin e III-të në nivelin e tretë. Aty fitova forcën përballë punës të vështirë dhe njoha burrat e vërtetë që çanin nëntokën në 200 m thellësi e ndoshta edhe më shumë. Aty mësova të respektojë e të mos  harroj ata heronj të punës si, Rexho Idrizi, Miltiadh Dreu, Selim Doko, Tahir Gashi, Kiço Kaçi, Mato Mata, e shumë të tjerë dhe emrat e tyre do i ruaj dhe kujtoj me respekt sa të jem gjallë. Të paharruar dhe u ndriçoftë shpirti atje ku kanë shkuar.”

Veterani i minierës, Tahir Gashi, gëzonte respektin e të gjithë memaliotëve dhe të atyre që ai kishte punuar, të cilët ishin jo vetëm nga zonat përreth, por edhe nga vende të ndryshme të vendit, që punonin në Memaliaj.

Për kontributin e tij, Këshilli Bashkiak e vlerësoi, duke pagëzuar me emrin e tij edhe një rrugë në Memaliaj, e cila quhet “Rruga Tahir Gashi”.

Mirënjohje për këta heronj dhe do të ngelen të respektuar dhe nderuar ndër breza!

Edmond Ismailati

Shkurt 2022