Bota Të luftosh koronavirusin pa mbyllur gjithçka, shembulli i suksesshëm i Koresë së...

Të luftosh koronavirusin pa mbyllur gjithçka, shembulli i suksesshëm i Koresë së Jugut

Koreja e Jugut ka parë një rënie të vazhdueshme të rasteve të reja të koronavirusit për katër ditë rresht, pavarësisht se është një nga vendet me numrin më të madh të të prekurve jashtë Kinës, edhe pse vëmendja globale është zhvendosur drejt shpërthimeve në Itali dhe Iran.

Deri në fund të së hënës, ajo pati 7 513 raste dhe 54 vdekje. Qendrat Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KCDC) thanë se kishte një rritje prej 131 rastesh nga e diela në të hënë.

Vendi mesatarisht kishte mbi 500 infeksione të reja në ditë për dy javët e fundit, por të premten e kaluar, ky numër ra në 438, pastaj 367 të shtunën dhe 248 të dielën. Numri ditor i rasteve të konfirmuara raportohet të nesërmen.

Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in të hënën vuri në dukje “tendencën e ngadalësuar” të vendit të tij për infeksione të reja por paralajmëroi: “Ne nuk duhet të jemi të vetëkënaqur”.

KCDC tha se në mesin e pacientëve të rinj ishin më shumë se 60 persona të infektuar, të cilët punonin pranë njëri-tjetrit në një qendër telefonike të një kompanie sigurimesh.

“Numri i përgjithshëm i rasteve të reja të konfirmuara është në rënie, por ka shqetësime për raste të tilla infeksioni masiv”, tha zëvendësdrejtori i KCDC, Kwon Jun-wook.

Rënia e vazhdueshme e rasteve i është atribuuar një sërë faktorësh, përfshirë testimin në masë, përmirësimin e komunikimit publik dhe përdorimin e teknologjisë. Testimi i gjerë i anëtarëve të Kishës Shincheonji të Jezusit, e cila lidhej me më shumë se 60 për qind të rasteve të vendit, ka përfunduar.

Zyrtarët koreanë kanë ndarë përvojën e tyre në kontrollin e shpërthimit, duke thënë se mbyllja brenda e qyteteve të tëra, siç u imponua nga Kina në Vuhan, origjina e shpërthimit, është e vështirë për t’u zbatuar në një shoqëri të hapur.

Kina gjithashtu aplikoi distancim të rreptë shoqëror dhe monitorim të gjerë të qytetarëve dhe imponoi respektimin e masave parandaluese me ndëshkime dhe shpërblime, çka rezultoi në një rënie të konsiderueshme të numrit të rasteve të reja.

“Pa dëmtuar parimin e një shoqërie të hapur dhe të hapur, ne rekomandojmë një sistem përgjigjeje që bën bashkë pjesëmarrjen vullnetare të publikut me aplikime kreative të teknologjisë së përparuar,” u tha gazetarëve zëvendësministri i Shëndetësisë i Koresë së Jugut, Kim Gang-lip.

Masat konvencionale dhe shtrënguese të tilla si bllokimet e zonave të prekura kanë pengesa, tha ai, duke minuar frymën e demokracisë dhe tjetërsimin e publikut që duhet të marrë pjesë në mënyrë aktive në përpjekjet parandaluese.

“Pjesëmarrja e publikut duhet të sigurohet përmes hapjes dhe transparencës”, tha ai.

Koreja e Jugut ka qenë proaktive në dhënien e informacionit të nevojshëm në mënyrë që qytetarët të jenë të sigurt, duke përfshirë dy herë njoftime ditore për media dhe alarmet e urgjencës të dërguara me telefon celular për ata që jetojnë ose punojnë në rrethe ku janë konfirmuar raste të reja.

Detaje në lidhje me historitë e udhëtimit të pacientëve të konfirmuar janë gjithashtu në dispozicion në faqet e internetit të pushtetit lokal, ndonjëherë me publikim të vendbanimit të një pacienti ose punëdhënësi, i cili mund t’i bëjë ata të identifikueshëm individualisht, duke çuar në shqetësime në lidhje me intimitetin.

Është shumë e rëndësishme ruajtja e higjienës. Korano-jugorët rrallë dalin pa maskë në fytyrë, ndërsa në një pjesë të madhe të ndërtesave lexohet “Nuk mund të hysh pa maskë”. Punëtorët e restoranteve dhe stafi i shitjeve me pakicë mbajnë maska ndërsa u shërbejnë klientëve.

Koreja e Jugut ka aplikuar masa të reja, përfshirë rreth 50 stacione testimi në të gjithë vendin, ku duhen vetëm 10 minuta për të bërë të gjithë procedurën. Rezultatet e testimit dalin brenda orësh.

Këto teste në vende të tjera kushtojnë, por në Korenë e Jugut janë falas. Sipas ekspertëve, kapaciteti i lartë testues i ka dhënë vendin mundësinë të identifikojë shpejt pacientët e prekur dhe t’i minimizojë efektet.

Edhe në raport me hyrjet në vend, masat janë më të buta. Procedurat e emigrimit special është program që monitoron hyrjet në vend për dy javë, pa i ndaluar askujt të drejtën e udhëtimit. Atyre u matet temperatura dhe u kërkohet të plotësojnë një formular.

Gjithashtu, atyre u kërkohet të shkarkojnë në smartfonin e tyre një program vetëdiagnostikues. Koreja e Jugut përdor me efektivitet edhe teknologjinë në këtë “luftë”. Kamerat identifikojnë burimet e mundhsme të infeksionit, ndërsa rastet e konfirmuara gjurmohen përmes smartfonëve dhe tyre dhe transaksioneve nëpërmjet kartave të kreditit.

Për të parandaluar kolapsin e spitaleve, vendi ka ngritur qendra trajtimi, në të cilat vendosen në karantinë pacientët me simptoma të lehta.

Ekspertët thonë se kjo strategji vjen falë përvojës së fituar me pandeminë e H1N1 në 2009 dhe Mers në 2015.

“Nuk ka shumë vende në botë si Koreja e Jugut, që i kanë të dyja: trurin dhe pajisjet e nevojshme për të përballuar shpërthimin e viruseve,” thotë një profesor i shëndetit publik në Universitetin Kombëtar Seul.

Në skenarin më të mirë që parashikojnë ekspertët korano-jugorë, virusi mund të largohet në fund të marsit … Ndërsa skenari më i keq është që virusi të përhapet gjerësisht në metropolin Seul dhe provincën Gyeonggi, ku jetojnë pothuajse gjysma e 51 milionë qytetarëve të Koresë së Jugut. /Përgatiti: Gazmira Sokoli / Scmp.com