Bota Tërmeti në Turqi, pas 12 ditësh dëgjohen ende zëra nën rrënoja

Tërmeti në Turqi, pas 12 ditësh dëgjohen ende zëra nën rrënoja

Tërmetet vdekjeprurëse me qendër në Kahramanmaraş, rrafshuan plotësisht ndërtesat në lagjen Antakya të Hatay-t. Mirëpo, pas 12 ditësh, në një kompleks pallatesh të shkatërruar në këtë zonë, janë dëgjuar zëra nën rrënoja. Sipas gjasave, bëhet fjalë për 3 persona, por ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet.

“Ka zëra. Pas 273 orësh kërkime, janë dëgjuar zëra nën rrënoja. Ka akoma shpresë. Mendohet se janë tre anëtarë të familjes Dalyan: Fikret Dalyan, Sema Dalyan, Medina Dalyan. Fillimisht, zëri u dëgjua përmes një aparati dhe u përsërit përgjatë pesë minutave. Më pas, ekspertët përdorën një pajisje akustike më të ndjeshme. Sapo vlerësuan situatën, forcat e kërkim-shpëtimit filluan punën sërish. Sesa thellë mund të kenë mbetur nën rrënoja apo sa kohë i duhet ekipit për t’i nxjerrë, nuk është ende e qartë për momentin”, tha Enver Kaptanoğlu, gazetar i CNN TÜRK.

Deri më tani, ekipet nuk kanë mundur të flasin drejtpërdrejt me njerëzit nën rrënoja, kështu që nuk dihet gjendja e tyre.

Megjithatë, mendohet se janë gjallë të tre, pasi reagojnë ndaj thirrjeve të herëpashershme. Duke qenë në ditën e 12-të pas tërmetit fatal, skuadrat kërkuese janë të vetëdijshme për gjenden serioze shëndetësore të të mbeturve nën rrënoja, ndaj po përpiqen të hapin rrugën sa më shpejt.