Extra The Rock i bën realitet ëndrrën Adele

The Rock i bën realitet ëndrrën Adele

Adele është një superyll botëror, por kjo nuk e ndalon atë që të shprehë hapur dëshirën për të takuar të tjerë njerëz të rëndësishëm. Në rastin e saj, ky person është Dwayne “The Rock” Johnson.

Në ceremoninë e këtij viti të ndarjes së çmimeve Grammy, Adele pati mundësinë të bënte ëndrrën realitet. Prezantuesi i ceremonisë, Trevor Noah, e nisi monologun hapës me një surprizë.

“Kjo është një nga gjërat më të çuditshme që kam zbuluar: Personi që Adele ka dashur gjithmonë ta takojë, por kurrë nuk ka pasur mundësinë, është Dwayne Johnson,” tha ai para audiencës. “Kam zbuluar se ai është gjithashtu një fans i madh i yti.”

The Rock u shfaq pas karriges së Adele duke i dhënë një përqafim. “Adele takohet me The Rock, The Rock takohet me Adele! Për herë të parë!”, tha Noah. “Në rregull, ju të dy vazhdoni njihuni, ne duhet të vazhdojmë me spektaklin.”

Në dhjetor 2021, Adele zbuloi se do të “qante” nëse do ta takonte ndonjëherë Johnson, të cilin e përshkroi si “të mahnitshëm”. Pavarësisht se ka jetuar në Beverly Hills prej disa vitesh, 34-vjeçares nuk u ndesh kurrë në rrugë me The Rock.

Miqësia e re e Adele dhe Johnson nisi këndshëm. Ai u ngjit në skenë për t’i dhënë asaj çmimin “Performanca më e  mirë solo – pop” për këngën “Easy on me”. “Eja këtu, shoqja ime Adele,” tha ylli i “Black Adam”.