Bota Trump pezullon kontributin amerikan për OBSH-në

Trump pezullon kontributin amerikan për OBSH-në

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se do të pezullonte kontributin e SHBA-së për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për shkak të menaxhimit të keq të epidemisë së koronavirusit.

“Bota ka marrë shumë informacione të rreme për transmetimin e virusit dhe vdekshmërinë nga COVID-19”, theksoi Trump në një fjalim të gjatë dhe kritik kundër agjencisë së OKB-së.

“Sot urdhëroj pezullimin e financimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë deri sa të kryhet një studim për të shqyrtuar rolin e OBSH-së në menaxhimin jo të mirë dhe fshehjen e përhapjes së koronavirusit”, shtoi ai që nga Shtëpia e Bardhë.

Duke nënvizuar se SHBA-ja kontribuon me shuma të mëdha nga 400 në 500 milionë dollarë në vit për organizatën, kundër rreth 40 milionë dollarëve dhe madje më pak për Kinën, Trump theksoi se vendi i tij kishte si detyrë të kërkonte llogari.

“Nëse OBSH do të kishte bërë punën e saj dhe do të kishte dërguar ekspertë mjekësorë në Kinë për të studiuar në mënyrë objektive situatën në terren, epidemia mund të ishte përmbajtur në burimin e saj me shumë më pak të vdekur”, theksoi ai.

Që prej disa ditësh, administrata Trump ka kritikuar ashpër qëndrimin e agjencisë së OKB me seli në Gjenevë, duke denoncuar në veçanti qëndrimet e saj të cilat i konsideron shumë të favorshme për Pekinin.

Kreu i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo konfirmoi dje se SHBA-ja do të ndryshonte radikalisht funksionimin e organizatës.