Aktualitet U arrestua në SHBA/ Si e inskenoi Leonard Mnela vdekjen në Venezuelë,...

U arrestua në SHBA/ Si e inskenoi Leonard Mnela vdekjen në Venezuelë, e ‘vulosi’ Gjykata e Durrësit

Ekstradimi i Leonard Mnelës

Më pak se 40 euro ka paguar Leonard Mnela, personazhi i botës së krimit që për 21 vite mashtroi Shqipërinë dhe Italinë. Ai në 2003 sajoi një certifikatë vdekje, pasi kishte një dënim me burg të përjetshëm në Itali. Për shumë vite ai do të zhdukej pa gjurmë, derisa do të arrestohej në Amerikë, dhe do të ekstradohej drejt Shqipërisë.

Deri në vitin 2011 ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar nga shteti italian, drejtësia përtej Adriatikut e ka dënuar Leonard Mnelën me 25 vite burg. E teksa Menla kishte nisur një jetë të re në Shqipëri apo diku gjetkë më datë 15.12.2010 ai vë në zbatim një plan të denjë për filma “hollivudian”.

Në dokumentin e vendimit të gjykatës të siguruar nga emisioni FactCheck, shkodrani Mnela paraqet shtatë vite pas “vdekjes” në Amerikën Latinë, kërkesën për zyrtarizimin e këtij akti edhe në gjendjen civile në Durrës.

Por si “vdiq” dhe sa kushtoi ky plan?

Në vendim thuhet se Mnela ka ndërruar jetë “më datë 3 Janar 2003 në banesën e tij ora 11.05 minuta në Republikën Boliviane të Venezuelës në shtetin e Miranda, bashkia Sucke”.

E për ta bërë më të besueshme këtë akt vdekje është shtuar në dokument edhe Kisha Famullitare Petare.

Pas një procesi gjyqësor i cili ka kushtuar 3850 lekë më pak se 40 euro, gjykata e Durrësit gjashtë muaj pas nisjes së këtij gjykimi ka vendosur “Pranimin e faktit Juridik duke e shpallur të vdekur shtetasin shqiptarë Leonard Mnela i vitëlindjes 1969”.

E kaluara e Leonard Mneles

Arrestimi i Leonard Mnela u bë i mundur në Miçigan nëpërmjet një bashkëpunimi mes departamentit të policisë kriminale shqiptare në bashkëpunim me dy agjenci amerikane, ndërsa u ekstradua para disa ditësh nga SHBA. Leonard Mnela do t’u nënshtrohet hetimeve, për ngjarje kriminale të ndodhura kohë më parë në Shqipëri, ku dyshohet të ketë qenë i përfshirë. Leonard Mnela alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela rezultonte dhe i dënuar me 25 vite burg në Itali për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.