Politika Ukraina, Panariti: Ballkani duhet futur sa më shpejt në BE, mundësi për...

Ukraina, Panariti: Ballkani duhet futur sa më shpejt në BE, mundësi për Kosovën që të njihet nga skeptikët

Për Edmond Panaritin, situata aktuale e luftës në Ukrainë që rrezikon të shtrihet edhe në shtete të tjera është një mundësi për vendet që duan të futen në BE ku bën pjesë edhe Shqipëria, pasi unionit i leverdis të ketë një qasje konkrete gjeostrategjike.

I ftuar në emisionin Publikisht me gazetaren Blerta Tafani, Panariti shtoi se kjo situatë mund të shërbejë për të argumentuar një hap të tillë edhe para vendeve që deri më tani kanë vendosur veto.

“Gjermania për herë të parë që nga viti 1945 vendosi një qëndrim të vendosur në krah të Ukrainës. Kërkohet përgatitje dhe armatim që të përballet agresion rus. Kjo duhet parë edhe si sinjal që do të pasohet nga shumë vende të Bashkimit Europian. Nuk përjashtohet që të kemi shtrirje të ambicies ruse edhe në shtetet e tjera. Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në këtë orë të errëta. Kjo duhet të çojë edhe në disa vendime konkrete. Duhet të përshpejtohet futja në BE edhe e atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor për një nevojë gjeostrategjike. Është më e lehtë të argumentosh te shtetet e tjera që më herët që kanë vendosur veto”, tha Panariti.

Ai u shpreh se kjo mund të shihet në të njëjtin këndvështrim edhe sa i takon Kosovës në mënyrë që BE t’u kërkojë skeptikëve që të njohin pavarësinë e saj.

“Në raport me Kosovën është një moment ideal që BE t’u kërkojë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin sot. Të gjitha duhet të përfundojnë tani për të arritur një qëndrim të unifikuar në politikën e jashtme. Do dëshiroja shumë që Kosova të futet në NATO. Duhet të kemi parasysh që tani ndodhemi në një realitet të ri që ndan shapin nga sheqeri. Qëndrimi ndaj Rusisë është një vijë e qartë demarkacioni. Është një armik që nuk po ndjej asnjë lloj skrupulli. Tani të gjitha vendet do të bëhen gati për të pritur ukrainasit”, deklaroi ai.

Panariti shtoi se hapi i parë që duhet të presim nga kjo luftë është armëpushim për të parë më pas se kush do të jenë hapat e mëvonshme.

“Kjo është një luftë me pasoja në shkatërrim ekonomik dhe paralizë në nivele të ndryshme. Të gjitha këto janë pjesë e kësaj lufte. Të gjithë kryqëzojmë gishtërinjtë që të arrihet armëpushim. Duhet armëpushim dhe më pas të shohim se kush do jenë hapat e mëvonshme”, tha ai.