Aktualitet Ukrainasja që jeton në Shqipëri rrëfen bisedat me të afërmit në Ukrainë:...

Ukrainasja që jeton në Shqipëri rrëfen bisedat me të afërmit në Ukrainë: Situata po përkeqësohet

Irina Romanova, shtetasja ukrainase që jeton prej vitesh në Shqipëri zgjohet çdo ditë me ankthin për fatin e prindërve të saj të cilët ndodhen në vendin e saj të lindjes përballë agresionit rus teksa luftimet po futen në ditën e shtatë të tyre.

E ftuar në emisionin “Publikisht” në RTSH nga gazetarja Blerta Tafani, Romanova deklaroi se situata çdo ditë po përkeqësohet ndërsa tani ekziston një tjetër frikë, ajo se trupat bjellorusë mund të kenë kaluar kufirin, pavarësisht se lideri Lukashenko u zotua se nuk do i bashkohet Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

“Situata çdo ditë po përkeqësohet edhe pse askush nuk i mposht dot ukrainasit. Por problemi është se po dalin fjalët që ushtria bjelloruse kanë kaluar kufijtë. Prindërit janë… gjallë”, u shpreh ajo.

Irina thotë se ka pasur komunikime të vazhdueshme me prindërit e saj pasi për fat të mirë operatorët telefonikë kanë hequr tarifat e internetit duke krijuar ura komunikimi, për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e telefonit.

“Komunikime kam të vazhdueshme. Të gjithë operatorët telefonikë i kanë hequr pagesat e internetit për komunikim. Edhe nëse nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e telefonit mund të komunikojnë përmes internetit”, tha Romanova.

Nga komunikimet që ka pasur me të afërmit e saj, Romanova tregon se ka mësuar se furnizimet me ushqime në disa zona janë të vazhdueshme, por në pjesën lindore ka nisur shpërndarja e ndihmave pasi ushqimet po mbarojnë.

“Në Kharkiv gjendja është kasaphanë. Në Ukrainën perëndimore grupet po mobilizohen dhe po bëhen gati për një sulm të mundshëm nga Bjellorusia. Dikush e ka më kollaj të qëndrojë në bodrume. Dikush tjetër preferon të qëndrojë në shtëpinë e vet.

Furnizimet me ushqim janë të vazhdueshme. Në Pjesën lindore po shpërndahen ndihmat sepse ushqimet po mbarojnë”, shtoi ajo.